GazetaMax
Lajme

Përshkallëzohen protestat në Meksikë, 120 të plagosur, dhjetëra protestues të arrestuar

Përshkallëzohen protestat kundër qeverisë në Qytetin e Meksikos. Të paktën 120 persona janë plagosur, shumica prej tyre oficerë policie, ndërsa 20 protestues janë arrestuar. Demonstratat u organizuan nga “Gjenerata Z”, por u ndoq edhe nga pjesëtarë të moshave të tjera, si reagim ndaj kriminalitetit, korrupsionit dhe mosndëshkueshmërisë. Potestuesit rrëzuan barrikadat para pallatit kombëtar, ku ndodhet rezidenca e presidentes Claudia Sheinbaum, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Aktivistët shprehën pakënaqësinë edhe për shkak të vrasjes së kryebashkiakut të Uruapanit, Karlos Manzo, në shtetin Miçoakan i cili u qëllua për vdekje për shkak të luftës së tij kundër karteleve të drogës.

“Gjithçka që duam është drejtësi dhe zero pandëshkueshmëri në këtë qeveri. Jemi lodhur duke parë dosje hetimore që hapen dhe qeveria nuk vepron, ndërsa pushteti është i përqendruar në të gjitha institucionet dhe kontrollohet nga e njëjta grupe.”, u shpreh studenti Samuel Valdez.

“Kjo është një nga qeveritë më të korruptuara që kemi pasur ndonjëherë. Një narko-qeveri e shitur që, në vend se të mbrojë popullin, zgjedh të mbrojë të korruptuarit dhe kartelët e drogës.”, u shpreh studentja Valentina Ramirez.

“Jam këtu për të ngritur zërin dhe për të treguar sa i ngopur jam me këtë qeveri, me këtë narko-qeveri që na shtyp dhe vret njerëz të pafajshëm.”, u shpreh punonjësi shtetëror Fausto Arroyo Ambriz.

“Do të luftojmë deri në fund. Nuk mund ta lejojmë që Meksika të kthehet si Venezuela apo Kuba, në një diktaturë. Meksikanët janë të lodhur.”, u shpreh Clemente Reyes Montiel, sociolog në pension.

“Senatorët dhe deputetët e opozitës po heshtohen nga senatorët e Morenës. Morena është një turp për këtë vend dhe Claudia Sheinbaum, autoritarja që e drejton atë, na nënvlerëson.”, u shpreh Rodolfo Cesar Tapia Flores, shef kuzhine.

Karlo Manzo, i cili kishte kërkuar masa më të ashpra kundër karteleve të fuqishme të drogës në Meksikë, u qëllua dhe u vra gjatë një aktiviteti publik teksa po festonte Ditën e të Vdekurve më 1 nëntor. Pas vdekjes së tij, në Meksikë u ngjallën revolta, që shpërthyen të protesta të dhunshme.