GazetaMax
Lajme

Qosja e pret fotografinë e Presidentes Osmani, ka një kritikë për të

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është kritikuar nga Rexhp Qosja, për faktin se ajo mendon se Kosova është Atdheu ynë i vetëm.
Akademiku Rexhep Qosja thotë se janë të paktë ata që mendojnë si presidentja Vjosa Osmani se Kosova është Atdheu i tyre. Por pavarësisht pozitës që ajo mban, Qosja thotë se shumica nuk do të mendojnë kurrë si ajo.
“Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme”, shkruan Qosja në llogarinë e tij në Facebook.
“Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po”, thotë Qosja.
Për të ilustruar këtë, Qosja ka prerë pjesën e fotografisë të portretit zyrtar të Presidentes aty ku shihet vetëm flamuri i Kosovës.
“Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!”, theksoi ai.
Shkrimi i plotë i Qosjes në Facebook
Një a dy Atdhe i kanë shqiptarët?
Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!
Gabim i dyfishtë.
Fjala At- dhe vjen prej fjalës toka, dheu i babait, i gjyshit, i stërgjyshit. Dhe i të parëve të tjerë.
Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin.
E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!
Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po.
Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme.
Nuk ka dyshim se edhe për pasardhësit e atyre që thonë sot se Kosova është i vetmi Atdhe i tyre, pashmangshëm do të vijë dita kur do të thonë se Shqipëria e bashkuar me Kosovën, se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, është Atdheu i tyre, siç ishte kurdoherë. Mospajtimi me këtë ideal kombëtar domethënë mospajtim me kohezionin shpirtëror, shoqëror, moral e kombëtar të shqiptarëve që është kusht i zhvillimit e i përparimit të tyre.
Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!

Related posts

Në mungesë të Zejdit, në krahë të djathtë të Gashit ishte Kovaçevski

Gazeta Max

Padi penale kundër 56 vjeçarit nga Kopanica pasi ndërtoi objekt pa leje

Gazeta Max

Besimi: Vijojmë me politikat për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe fiskal

Gazeta Max