Shumë emigrantë vijojnë të presin në zonën neutrale për të kaluar drejt doganës greke dhe më pas për t’u kthyer në Greqi, aty ku jetojnë dhe punojnë.
Në pikën kufitare, pala greke po operon me 2 sportele në hyrje dhe 2 në dalje, ndërsa autoritetet shqiptare po punojnë me 4 sportele në dalje dhe 2 në hyrje.
Sipas të dhënave, në anën shqiptare nuk janë krijuar radhë, pavarësisht fluksit të shtuar, pasi po punohet me kapacitet maksimal. Ndryshe paraqitet situata në anën greke, ku përpunimi më i ngadaltë ka shkaktuar pritje.
Vetëm gjatë ditëve të para të janarit, përmes pikës së kalimit kufitar të Kapshticë kanë dalë mbi 20 mijë shtetas. Fluks i konsiderueshëm është regjistruar edhe në Qafë Thanë, ku rreth 8 mijë shtetas kanë kaluar kufirin në drejtim të shtetit fqinj.
Autoritetet vijojnë punën për menaxhimin e fluksit, ndërsa emigrantët presin që lëvizja të normalizohet më shpejt, veçanërisht në anën greke të kufirit.

