Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut qëndron në Alanya, drejtori Jetmir Rexhepi takoi kryetarin e qytetit

Delegacioni i Ansamblit Shtetëror Shqiptar të Maqedonisë së Veriut, gjatë qëndrimit dhe pjesëmarrjes në Alanya të Turqisë, ka zhvilluar një takim zyrtar me kryetarin e Komunës së Alanyas, ku është pritur me ngrohtësi dhe respekt.

Në takim morën pjesë drejtori i Ansamblit, Jetmir Rexhepi, dhe bashkëpunëtori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Amir Mamuti, së bashku me valltarët Jeton Ferati, Fatime Bytyqi, Bali Saliu dhe Agnesa Selmani.

Gjatë takimit u diskutua për pjesëmarrjen e Ansamblit në Alanya, si dhe për rëndësinë e promovimit të kulturës, traditës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Nga Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut theksuan se çdo pjesëmarrje ndërkombëtare përbën një mundësi të veçantë për të prezantuar vlerat kulturore, për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të ndërtuar ura të reja miqësie e bashkëpunimi ndërmjet popujve.

„Ne jemi ambasadorë të kulturës sonë, bartës të traditës dhe përfaqësues të një trashëgimie të pasur që përcillet me krenari nga brezi në brez“, thuhet në njoftimin e Ansamblit.

Përfaqësuesit e Ansamblit shprehën mirënjohje për kryetarin e Komunës së Alanyas për pritjen dhe mikpritjen, duke shprehur bindjen se takime të tilla krijojnë mundësi për bashkëpunime të reja kulturore dhe ndërkombëtare.

Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut vazhdon të promovojë kulturën, traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar përmes pjesëmarrjeve në aktivitete ndërkombëtare, duke përcjellë trashëgiminë kulturore me krenari nga një brez në tjetrin.