GazetaMax
Lajme

Po finalizohet marrëveshja Bullgari-Maqedoni? Pritet përgjigje nga Sofja

Shkup, 15 prill – Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, dje ka informuar se ekziston një dokument si bazë për marrëveshjen me Bullgarinë, i pranueshëm nga pala maqedonase, por ende nuk ka përgjigje nëse është e pranueshme për Sofjen, duke treguar se kur ka marrëveshje për ndonjë dokument si bazë për një marrëveshje me Bullgarinë, përpara nënshkrimit të tij do të informohet opinioni dhe deputetët. Ndarja e Tiranës nga Shkupi në rrugën drejt BE-së, megjithatë, sipas tij, do të përkeqësojë dinamikën rajonale në plan afatgjatë.

Osmani, theksoi se ende nuk mund të thotë se kemi marrëveshje mes të dyja palëve sa i përket një dokumenti që duhet të jetë zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha dallimet të cilat i kemi me Republikën e Bullgarisë.

“Po, ka një dokument të tillë të cilin ne jemi të gatshëm që ta pranojmë, megjithatë derisa nuk marrim përgjigje se është i pranueshëm edhe për Republikën e Bullgarisë konsideroj se nuk janë pjekur ato parakushte që të mundem unë t’i informoj deputetët dhe publikun, sepse ai mund të refuzohet dhe atëherë e gjithë kjo do të ishte e panevojshme”, theksoi Osmani pas takimit me Ministrin rumun të Punëve të Jashtme, Bogdan Aureski, i cili dje ishte në vizitë pune në vend.

I pyetur nëse freri për zgjidhje janë partnerët e koalicionit të kryeministrit bullgar Petkov, Osmani tha se nuk është në rregull t’i komentojë dinamikat e brendshme në Republikën e Bullgarisë.

“E di që ata planifikojnë që zgjidhjen ta kalojnë edhe në Kuvend. Që të kalojë në Kuvend kuptohet se ata partnerë të koalicionit duhet ta mbështesin atë zgjidhje. Nëse kjo nënkupton diçka, por nuk mendoj se është në rregull t’i komentoj marrëdhëniet në Bullgari. Shpresoj se në këtë kohë është i nevojshëm lidership strategjik. Është koha për vendime strategjike në BE, në rajon”, deklaroi Osmani.

Për atë nëse ka lëvizje në pjesën politike dhe dallime politike, tha se me ministren ka komunikuar në bazë ditore, përderisa kryeministri Kovaçevski me kryeministrin bullgar.

“Do ta përsëris vlerësimin, është arritur progres në mendimet se si të tejkalohet kjo çështje. Sa i përket, si, sa dhe kur, por nuk mund të them se për një dokument ka pajtueshmëri të plotë nga qeveria bullgare që të mundem unë t’i informoj deputetët menjëherë, ta ndaj dokumentin dhe ta informoj publikun. Nuk mundemi as të bisedojmë ndaras me secilin aktor politik në Bullgari e as që t’i komentojmë qëndrimet e ndryshme”, tha Osmani.

Shefi i diplomacisë tha se me të vërtetë nuk dëshiron t’i komentoj dallimet e brendshme politike me Bullgarinë.

“Ne komunikojmë me Qeverinë bullgare dhe nuk kemi pranuar asnjëherë të kemi bisedime paralele me palët e ndryshme politike në Republikën e Bullgarisë, madje edhe nëse janë palë të interesuara, jo vetëm palë politike. Ne bisedojmë me Qeverinë bullgare dhe me të vërtetë i mbetet asaj nëse do të mund të jetë njëzëri për cilëndo zgjidhje”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se, nga përvoja me Prespën, këto çështje kërkojnë lidership dhe kërkojnë vendosmëri sa i përket së ardhmes.

“Nëse tregoni çfarëdo lloj dyshimi në bindjen tuaj se kjo është rruga e drejtë nëpër të cilën duhet të zhvillohet kjo çështje, mendoj se ata që nuk duan të gjendet zgjidhje kjo do t’i inkurajojë. Kështu që, të dyja qeveritë në shoqëritë tona do të hasim në rezistencë, në kritika. Cilëndo zgjidhje ta lëmë në tavolinë do të ketë të pakënaqur”, deklaroi Osmani.

Deklaratat e Osmanit vijnë në prag të vizitës së kryeministrit bullgar Petkov dhe nënkryetares së Bullgarisë, Iliana Jotova, të cilat sipas njoftimeve të shtunën në Manastir do të marrin pjesë në hapjen e Klubit Kulturor të Shoqatës “Ivan Mihajlov”.

“Me kryeministrin Petkov jemi dakord që të kemi edhe një takim zyrtar, por nuk mund të them nëse do të jetë kryeministër për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, apo një nga ministrat në linjën e transmetimit Manastir-Elbasan dhe më pas do të kenë angazhimet e tyre në Qendrën e Kulturës në Manastir në organizim të Ambasadës së Bullgarisë, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Shefi i diplomacisë rumune, Bogdan Auresku porositi se Rumania nuk do ta mbështesë ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në disa raste paralajmëroi se do të kërkojë ndarjen e Shkupit dhe Tiranës në rrugën për BE, nëse Maqedonia e Veriut nuk e zgjidh çështjen me Bullgarinë deri në qershor.

“Nuk ka bisedime për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Nuk e mbështesim këtë ndarje. Është e rëndësishme të gjendet zgjidhje sa më shpejtë që të fillojnë negociatat me të dyja vendet së bashku”, tha Auresku në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Auresku potencoi se Rumania është mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe në të njëjtën kohë jemi duke punuar ngushtë në çështje shumë më komplekse.

Osmani, nga ana tjetër, nga ana e tij potencoi se vendimi për ndarjen e Shkupit dhe Tiranës është i vendeve-anëtare dhe nëse ato arrijnë konsensus Shqipëria t’i fillojë negociatat.

“Thashë edhe paraprakisht se nuk është në interes afatgjatë për Shqipërinë të ndahet prej nesh në këtë rrugë. Kështu që nëse të paktën deri në një fazë të procesit derisa kriteret politike janë kyçe e ndihmojmë njëri-tjetrin, në afat të gjatë do të krijohet një sinergji që e çon të gjithë procesin përpara. Kuptohet se Shqipëria ka të drejtë ta ngritë zërin, të thotë se i kemi përmbushur të gjitha kriteret, pasi unë jam peng i dosjes së një shteti tjetër. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se edhe Shqipëria e ndan mendimin se në afat të gjatë kjo nuk u konvenon dhe shumë vende-anëtare vlerësojnë se kjo do ta përkeqësonte dinamikën rajonale nëse ndodhë kjo”, potencoi Osmani.

Sipas tij, tani për tani nuk ka sinjal nga asnjë vend-anëtar i cili do të preferonte ndarjen nga paketa.

Presidenti Stevo Pendarovski nga ana tjetër, në takimin me ministrin Auresku, theksoi se posaçërisht sot është evidente se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është prioritet në sferën e sigurisë për Evropën, ndërsa përfundimi i projektit evropian është kyç për sigurimin e paqes afatgjate dhe prosperitetit për kontinentin, ndërsa Kovaçevki dhe shefi i diplomacisë rumune vlerësuan se tani është momenti për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, me Rumaninë që vazhdon të avokojë për një zgjidhje në këtë rrugë.

Përndryshe, presidenti bullgar Rumen Radev dje përsëriti qëndrimin e tij të prerë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Bullgaria t’i përmbahet qëndrimit të kornizës kombëtare në politikën e saj të jashtme ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, deklaratës së Parlamentit, konsensusit të arritur nga Këshilli këshillimor për siguri kombëtare.

“Shpresoj se do ta mbajmë këtë politikë, sepse është garancia e vetme që kemi qëndrueshmëri dhe pakthyeshmëri të procesit integrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shtoi presidenti, tha Radev.

Radev dje në bisedë telefonike me presidentin gjerman Frank-Valter Shtajnmajer tha se është në interes të stabilitetit të Evropës së Bashkuar që çdo vend kandidat për anëtarësim në BE të respektojë vlerat evropiane që lidhen me të drejtat e qytetarëve të saj, duke theksuar se Bullgaria pret rezultate kategorike nga Republika e Maqedonisë së Veriut për këtë çështje, para se të jepet pëlqimi për fillimin e negociatave me Unionin.

MIA në bisedë me analistët njoftoi se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Sofjen do të krijonte kushte të favorshme për të mos keqpërdorur procesin e anëtarësimit në BE me kërkesa të reja. Në procesin e gjetjes së zgjidhjes me Bullgarinë dhe në kuadër të kërkesës së kryeministrit shqiptar Edi Rama për ndarjen e Tiranës nga Shkupi në rrugën drejt BE-së, nëse çështja nuk zgjidhet deri në qershor, duhet të mos bëjnë lëshime me çdo kusht, thonë analistët. Ata deklarojnë se përfundimisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbronte plotësisht vendin dhe Sofja do të angazhohej që procesi të mos keqpërdoret më tej për kërkesa të reja, do të krijonte kushte të favorshme për të reduktuar rreziqet për ne dhe për të rënë dakord për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë pas konferencës së parë ndërqeveritare.

Ata deklaruan se kredibiliteti i BE-së është dëmtuar jashtëzakonisht në vend për shkak të vonesës së procesit të anëtarësimit, i cili është bërë rob i interesave të vendeve anëtare dhe nëse ndiqet nga dimensioni moral është krejtësisht joetik dhe i kthyer në proces të politikave të identitetit.

Related posts

“Marrëveshja e Brukselit ka vdekur”, pas suspendimit të gjyqtares, reagon edhe Bërnabiq

Gazetamax.mk

Milloshoski publikon Kodin Etik të Kuvendit, çfarë shkelje të rëndë ka kryer Talat Xhaferi?

Gazetamax.mk

Gërkovska: Populizmi është më i dëmshmi për një demokraci, duhet guxim që ta mbash shtetin në rrugën e duhur

Gazetamax.mk