Izraeli nis shembjen e ndërtesave në Hebron, palestinezëve u jepen vetëm pesë minuta për t’u larguar

Forcat izraelite nisën të premten rrënimin e objekteve dhe dëbimin me forcë të banorëve të lagjes Farsh al-Hawa në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar, disa orë pasi dy palestinezë vranë dy ushtarë izraelitë në një pikë kontrolli ushtarak në këtë qytet.

Në një video të siguruar nga CNN, një ushtar izraelit dëgjohet duke u thënë banorëve të një kompleksi banimi “keni pesë minuta kohë për t’u evakuuar”.

Ushtria izraelite (IDF) dhe Agjencia e Sigurisë së Izraelit (ISA) njoftuan së bashku se kanë nisur një operacion kundër terrorizmit në zonën e Hebronit, i cili pritet të zgjasë disa ditë. Sipas tyre, operacioni është i kufizuar në zonën nga e cila vepruan sulmuesit.

Banorët mund të largohen përmes tri daljeve të përcaktuara, ku do t’u nënshtrohen marrjes në pyetje dhe kontrolleve të sigurisë. Personat që do të konsiderohen “të dyshimtë” do të dërgohen për t’u marrë sërish në pyetje.

Në njoftimin e përbashkët thuhet se po rrënohen “objekte të paligjshme që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ushtria do ta evakuojë me forcë zonën ku ndodhi sulmi dhe do ta “transformojë plotësisht” atë.

Ai tha se do të ndiqet modeli i zbatuar në fillim të vitit 2025 në kampet e refugjatëve në Jenin, Tulkarm, Nur Shams dhe Al-Far’a, kur mijëra palestinezë u zhvendosën me forcë dhe lagje të tëra u zbrazën nga banorët.

Fillimisht, Netanyahu njoftoi të premten se kishte urdhëruar mbylljen e plotë të Bregut Perëndimor, ndërsa ushtria shpalli “rrethimin e plotë” të Hebronit.

Disa orë më vonë, ai e zbuti deklaratën, duke thënë se do të shqyrtonte vendosjen e një kordoni sigurie rreth Hebronit dhe Halhulit, i cili mund të zgjerohej edhe në zona të tjera.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ka gjetur automjetin e sulmuesve, brenda të cilit ndodhej një “sasi e madhe” municioni.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, tha se municioni ishte destinuar për një “sulm të përmasave shumë më të mëdha” dhe se reagimi i shpejtë i ushtarëve kishte parandaluar pasoja edhe më të rënda.

Ai paralajmëroi arrestime të reja dhe shtim të aktiviteteve të inteligjencës në këtë zonë.

Në sulm u plagosën lehtë edhe tre ushtarë të tjerë, ndërsa të dy sulmuesit palestinezë u vranë.