Kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP) dhe ministri përgjegjës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Investime të Huaja, Zülfikar Zeynula, ka realizuar vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit që nga marrja e detyrës ministrore në Republikën e Turqisë, ku është takuar me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet historike dhe lidhjet e forta vëllazërore mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, mundësitë për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve, si dhe çështje me rëndësi për të ardhmen e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut.
Nga Partia Demokratike Turke theksuan se lidhjet e fuqishme me Turqinë përbëjnë një nga vlerat më të rëndësishme të partisë dhe komunitetit turk në vend. Sipas tyre, mbrojtja e të drejtave, identitetit kombëtar dhe perspektivës së komunitetit turk do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet kryesore, në bashkëpunim të ngushtë me Turqinë.
Zeynula shprehu mirënjohjen e tij ndaj ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, për vëmendjen e treguar, mikpritjen e përzemërt dhe mbështetjen e çmuar.
