Tetori poetik në Himarë dhe me nxënësit e shkollave 9 – vjeçare të Vlorës

Në Himarë:

Tetori i Letërsisë dhe Arteve ndihet bukur e me aromën e librit, si çdo vit, edhe në Vlorë e Himarë.

Bashkia Himarë zhvilloi një veprimtari të bukur të quajtur “Mbrëmje me fjalën: letërsia dje dhe sot” në sallën Neço Muko” në Spile, Himarë më datën 19 Tetor 2026, ora 18.00, ku morën pjesë shkrimtarë, poetë, artistë, studiues dhe nxënës, talente të reja nga shkollat që mbulon bashkia  e Himarës. Mbrëmja letraro-artistike me fjalën u përqendrua në këto pika:

  1. Njohje me autorët: prezantimi i autorëve të ftuar dhe krijmtarisë së tyre,
  2. Letërsia shqipe sot: arritjet, sfidat dhe perspektivat e letërsisë bashkëkohore,
  3. Autori, lexuesi dhe libri: marrëdhënia mes krijimtarisë, lexuesit, botuesve dhe tregut,
  4. Letërsia përtej kufijve: përkthimet dhe përurimi i autorëve shqiptarë në botë,
  5. Letërsia në epokën digjitale: teknologjia, inteligjenca artificiale dhe format e reja të leximit,
  6. Kritika dhe vlerësimi letrar: roli i kritikës, medias dhe çmimeve letrare.

Në Vlorë:

Zyra Vendore e Arsimit Paraunivesitar (ZVAP) Vlorë – Himarë, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Bajram Tushi”, Vlorë zhvilluan konkursin “Tetori i poezisë”, me pjesëmarrjen e talenteve të reja, nxënës të shkollave 9- vjeçare publike dhe jopublike të qytetit. Veprimtaria u bë në mjediset e Sallës së Koncerteve, QKF “Bajram Tushi” – Parku Aulona, Vlorë paraditen e djeshme të 27 tetorit, ora 10:30.

Fëmijët, nxënësit, janë gonxhet e jetës, pranverë e çdostinshme, “sepse në çdo varg fëmije, rreh një zemër plot ëndrra”, siç u shpreh me entusiazëm drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, zonja Albana Tushe Curo. Sinqerisht, ndjeva emocion, kur ajo më prezantoi si poet, bibliograf dhe studiues, kryetar i jurisë së konkursit “Tetori i Poezisë”, ku vetë Albana, përgjegjësi i sektorit të artit të QKF Viktor Rapushi, si dhe 3 mësuese, të cilat ndryshoheshin kur konkuronin shkollat e tyre, përbënim jurinë e këtij konkursi të mtrekullueshëm, që la gjurmë të bukura, të ngrohta, të mbëla jo vetëm në atë mjedis, se zogjtë u shpërndanë pastaj nëpër foletë e tyre familjare.

“Tetori i Poezisë”, kur vargjet flasin dhe zemrat ndiejnë, solli një takim të veçantë me magjinë e vargut, ku zërat e fëmijëve do t’i japin jetë fjalës së bukur dhe emocioneve të sinqerta.

Në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Bajram Tushi” Vlorë, poezia u bë zëri i emocioneve, i ëndrrave dhe i talentit të fëmijëve tanë.

Çdo recitim solli një ndjesi të veçantë, çdo varg përcolli një mesazh dhe çdo fëmijë dëshmoi se bukuria e fjalës shqipe jeton përmes brezave të rinj.

Dy fjalë shpirti për gonxhet që pranveruan konkursin e Tetorit të Poezisë në folezën e ngrohtë të fëmijëve, i shpreha edhe unë, jo thjesh si kryetar i jurisë, por sidomos si poet, si prind e gjysh, që talente të tilla na e bëjnë zemrën mal, sepse poezia nuk është vetëm art i fjalës, por një mënyrë për të shprehur atë që zemra ndien dhe shpirti nuk e thotë dot ndryshe, aq më tepër kur e dëgjon të bukurtingëlluar nga këta fëmijë të bukur e të pastër, që na vijnë aq këndshëm, si cicërimat e zogjve.

Nuk ishte thjesht një konkurs i fjalës poetike veprimtaria e djeshme Tetori i Poezisë, por festë e bukur e shpirtit pranveror të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Vlorës.

Qendra Kulturore e Fëmijeve me zonjën Albana Tushe Curo në krye, me të përkushtuarit Viktor Rapushi, Eli Jazaj Malaj, stafin e kulturës së institucionit kishin bërë një punë të lavdërueshme, me devotshmëri dhe profesionalizëm, që konkursi (faza e parë) të realizohej sipas standardeve të larta.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit: gonxhet nga shkolla “Ismail Qemali”, shkolla “Katër Heronjtë”, shkolla “Teli Ndini”, shkolla “Jani Minga”, shkolla “Lef Sallata”, shkolla “Muço Delo”, shkolla “Zenel Murro”, shkolla “24 Maji”, shkolla jopublike “Internacional” i dhanë jo vetëm formë, por patjetër edhe shpirt drite me poezitë dhe prozat poetike të interpretuara/ recituara të thurura nga autorët shqiptarë, që nga rilindasit Naim Frashëri e Pashko Vasa, te Fan Noli, Faik Konica e Migjeni, te Lasgushi e Ali Asllani, tek Fatos Arapi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli e deri tek poetët bashkëkohorë si Anila Toto etj.

Mësueset e letërsisë, që përgatitën talentet e reja që u paraqitën në këtë konkurs meritojnë përgëzime të dëlira për përkushtimin, vullnetin, dëshirën e mirë dhe dashurinë prindërore që treguan me durim, këmbëngulje dhe pa u lodhur, se ne me dëshirë e dashuri, i mbështesin e frymëzojnë talentet e reja.

Përgëzime të gjithë pjesëmarrësve dhe fituesve për interpretimet e tyre, si dhe falënderime për të mirët mësues të palodhur!  Vetëm kështu poezia bëhet frymëzim për talentet e reja dhe dashuria për fjalën shqipe përcillet te brezat e rinj.

Më shumë përgjegjësi dhe detyra dalin para tyre për t’u paraqitur sa më denjësisht aktorët e rinj të poezisë sonë në fazën finale.

Mua më ka një shije të bukur, të freskët ky aktivitet. Një aromë të këndshme kulture u përhap nga ajo sallë – vatër e ngrohtë edukimi në Vlorën tonë të dashur.

Burimi: Botasot