Dy vite në krye të Teatrit të Tetovës, Memishi Sopi: 10 premiera, 13 çmime dhe 16 festivale

Teatri i Tetovës shënon dy vjet punë dhe angazhim nën drejtimin e Hasim Memishit – Sopit me rezultate në fushën e krijimtarisë artistike, pjesëmarrjes në festivale dhe promovimit të teatrit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë kësaj periudhe, në Teatrin e Tetovës, sipas tij, janë realizuar 10 premiera dhe dhjetëra repriza, ndërsa trupa teatrore ka marrë pjesë në festivale të ndryshme dhe ka zhvilluar udhëtime artistike në rajon dhe më gjerë. Një nga të arriturat e theksuara është edhe rikthimi i shfaqjeve për fëmijë, pas një periudhe të gjatë mungese.

Në aspektin e punësimit, gjatë dy viteve, thekson Sopi, janë realizuar edhe katër punësime me kontrata të përhershme pune.

“Gjatë kësaj periudhe, shfaqjet e Teatrit të Tetovës janë prezantuar në disa qytete dhe skena ndërkombëtare. Përgjatë viteve 2024–2026 Teatri i Tetovës ka marrë pjesë në festivale të shumta teatrore, duke prezantuar produksionet e tij para publikut shqiptar dhe ndërkombëtar”, ka thënë Memishi Sopi.

Ndër festivalet ku është prezantuar trupa teatrore janë “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë, “Flaka e Janarit” në Gjilan, “Ku Fest” në Kumanovë, Festivali i Teatrove në Suharekë, “MittrixFest” në Mitrovicë, Festivali “Moisiu” në Prishtinë, “Uskana Fest” në Kërçovë dhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Grave Dramaturge në Stamboll.

Sipas bilancit të publikuar nga drejtori Hasim Memishi – Sopi, gjatë dy viteve janë regjistruar gjithsej 13 çmime, pesë udhëtime dhe 16 festivale.

“Do të vazhdojmë me punë dhe përkushtim, që të bëjmë më të mirën për Teatrin dhe publikun!”, është mesazhi i tij me rastin e përmbylljes së dy viteve në krye të Teatrit të Tetovës.