I vodhën Bugattin 2 milionë euro, pronari e ndoqi hajdutin me Porsche deri në Austri

Drejtori ekzekutiv i prodhuesit të veturave luksoze Bugatti, Mate Rimac, ka treguar se si vetura e tij Bugatti Chiron, në vlerë prej rreth 2 milionë eurosh, u vodh nga një objekt i kompanisë pranë Zagrebit, por u gjet më pas në Austri.

Rimac, përmes një videoje të publikuar në Instagram, tregoi se vetura ishte vjedhur të mërkurën, pasi ai kishte lënë çelësat brenda saj, siç kishte bërë për vite me radhë.

Pasi e kuptoi vjedhjen, ai u vu në ndjekje të hajdutit me një Porsche 911, ndërsa përdori edhe sistemin e gjurmimit të Bugattit për të përcjellë lëvizjet e veturës.

Ai njoftoi policinë se vetura po drejtohej në drejtim të Sllovenisë. Policia austriake arriti ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin, falë edhe informacioneve që Rimac ndau me autoritetet në një grup komunikimi, shkruan Sky News.

Duke qëndruar pranë veturës së rikuperuar, Rimac tha se kishte vendosur të mos i linte më çelësat brenda veturave të tij.

“Jam shumë krenar që Kroacia është kaq e sigurt, saqë jam shumë i relaksuar dhe gjithmonë i lë çelësat brenda veturave të mia, përfshirë Chiron dhe Nevera. E bëj këtë prej vitesh dhe nuk kishte ndodhur asgjë, deri tani. Nuk do ta bëj më këtë dhe mos e provoni fatin tuaj”, tha ai.

Rimac shpjegoi se zakonisht i linte çelësat brenda për arsye praktike, në mënyrë që punëtorët të mund ta lëviznin veturën pa pasur nevojë ta kontaktonin atë.

Burimi:botasot.info