Massimiliano Allegri nuk po mund të dalë nga telashet. Humbja në Torino e futi përfundimisht Napolin në krizë dhe ndoshta përcaktoi nisjen e rënies së lirë të një trajneri që ka bërë historinë siç është tekniku livornez.
Fillimi i sezonit për Napolin nuk ishte aspak i mirë; 14 pikë në 10 ndeshje dhe me 4 humbje, 14 pikë më pak se Lazio kryesuese dhe 9 më pak se Como e vendit të katërt. Me këtë ritëm, për Napolin kualifikimi në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm duket se mbetet një mirazh.
Situata përkeqësohet akoma më shumë, kur bëhet krahasimi me Napolin e fundit të Antonio Contes. Në këtë fazë të sezonit, trajneri salentin kishte 8 pikë më shumë e madje as numri i të dëmtuarve, që ishte problematik për punën e Contes, nuk e ndihmon Allegrin. Edhe sezonin e kaluar, infermieria e Napolit ishte plot, por këtë vit duket se situata është akoma më keq. Zëvendësimet e Di Lorenzos dhe De Bruyne në fundin e pjesës së parë në ndeshjen me Juventusin e kanë çuar në 11 numrin e futbollistëve të padisponueshëm te skuadra napoletane; një problem i madh ky për skuadrën e Allegrit që ka dy ndeshje të rëndësishme përpara pauzës për ndeshjet e kombëtares të muajit nëntor me Porton në Champions League dhe Lazion në kampionat.
Dy ndeshje pa kthim këto për Napolin që nëse dëshiron të ketë shpresa për të rilindur në kampionat dhe arenën evropiane nuk ka alternativa të tjera veç fitores. Dhe për Massimiliano Allegrin fitorja po bëhet një problem. Një paradoks ky, për një trajner që në Serie A ka fituar rreth 60% të sfidave(326 fitore në 554 ndeshje të luajtura) por që duket se ka harruar si fitohet. Duke marrë parasysh 10 ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar kur Allegri ishte te Milani dhe 10 ndeshjet e para me Napolin, bilanci që del është shumë shqetësues; 24 pikë në 20 sfida me një mesatare prej 1.2 pikësh për ndeshje, një mesatare e mirë vetëm për të evituar rënien nga kategoria. A është ky fundi i Massimiliano Allegrit? Ndoshta është ende shpejt për të folur për një verdikt përfundimtar, por 2 të dhëna bëjnë thuajse një provë…
Burimi: botasot.info
