Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e reformave dhe përfitimin e financimeve nga Bashkimi Europian, duke akuzuar qeverinë për vonesa në përmbushjen e detyrimeve të integrimit europian.
Në reagimin e saj, Xhixho thekson se nga 922.09 milionë euro financime të parashikuara për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, 657.46 milionë euro janë hua. Sipas saj, auditimi i KLSH-së evidenton se një sërë masash reformuese nuk janë përmbushur brenda afateve, duke ndikuar drejtpërdrejt në disbursimin e fondeve.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja lidhet me 228.5 milionë euro të parashikuara për financimin e projekteve përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, për të cilat nuk ishte kryer asnjë disbursim deri në përfundim të periudhës së audituar. Ajo nënvizon gjithashtu se marrëveshjet me Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk ishin finalizuar.
Xhixho rendit edhe mangësitë e evidentuara në reforma që lidhen me qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore, klimën e biznesit, energjinë, sigurinë kibernetike, sistemin gjyqësor dhe transparencën e financave publike.
Duke kritikuar qeverinë, deputetja shprehet se integrimi europian nuk duhet të përdoret si pjesë e propagandës politike, ndërsa kërkon përgjegjshmëri për zbatimin e reformave dhe administrimin e financimeve.
Në përfundim të reagimit, Xhixho thekson se qytetarët kanë nevojë për reforma të zbatuara, investime të realizuara dhe institucione që funksionojnë, dhe jo vetëm për deklarata dhe konferenca për Europën.
Burimi:botasot.info
