Tre astronautë amerikanë të NASA-s kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA duke hedhur votat e tyre nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), në një lartësi prej më shumë se 400 kilometrash mbi Tokë.
Anil Menon, Jessica Watkins dhe Luke Delaney i plotësuan fletët e votimit në mënyrë elektronike dhe i dërguan ato përmes një rrjeti të sigurt komunikimi te autoritetet përkatëse zgjedhore.
Lajmin e bëri të ditur Anil Menon përmes një postimi në platformën X, ku shpjegoi se si tre astronautët arritën të merrnin pjesë në procesin zgjedhor, pavarësisht se ndodhen në orbitë.
Yes, you can even vote from space! All three US crew members had the privilege of voting from space station. We filled out an electronic ballot and sent it securely to the election officials. https://t.co/hJCExQ2nKr
— Anil Menon (@astro_anil) November 3, 2026
“Po, mund të votoni edhe nga hapësira! Të tre anëtarët amerikanë të ekuipazhit patën privilegjin të votonin nga Stacioni Hapësinor. Ne plotësuam një fletëvotim elektronik dhe e dërguam në mënyrë të sigurt te zyrtarët përkatës të zgjedhjeve”, shkroi ai.
Në një video të shkurtër, Menon tregoi se e përdori hapësirën e tij personale në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor si një vendvotim të përkohshëm. Pasi plotësoi fletën elektronike, ai e dërgoi atë në Qarkun Harris, në Teksas, ku është i regjistruar për të votuar.
NASA ka një procedurë të posaçme që u mundëson astronautëve të marrin pjesë në zgjedhjet amerikane edhe kur ndodhen në misione afatgjata jashtë Tokës.
Votimi kryhet përmes Rrjetit Hapësinor të Afërt, pjesë e programit të Komunikimit dhe Navigimit Hapësinor (SCaN) të agjencisë amerikane. Rrjeti, i operuar nga Qendra e Fluturimeve Hapësinore Goddard e NASA-s në Maryland, mundëson transmetimin e të dhënave mes Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dhe objekteve në Tokë.
Astronautët i marrin fletët e votimit në mënyrë elektronike, i plotësojnë dhe më pas i dërgojnë sërish në Tokë përmes një lidhjeje të koduar. Të dhënat kalojnë fillimisht në Qendrën e Kontrollit të Misionit të NASA-s në Hjuston dhe më pas u përcillen autoriteteve përkatëse zgjedhore.
Procedura është hartuar për të garantuar fshehtësinë e votës, pasi vetëm astronauti dhe një zyrtar i autorizuar zgjedhor kanë qasje në përmbajtjen e fletëvotimit.
Anil Menon ndodhet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor që prej 14 korrikut 2026, kur mbërriti me anijen kozmike ruse Soyuz MS-29, së bashku me kozmonautët Pyotr Dubrov dhe Anna Kikina.
Astronauti amerikan është mjek urgjence dhe më parë ka shërbyer si mjek i parë i fluturimit i SpaceX, duke kontribuar në mbështetjen e misionit Demo-2, përmes të cilit kompania dërgoi për herë të parë astronautë në hapësirë.
Menon u përzgjodh nga NASA në vitin 2021 dhe është pjesë e një misioni rreth tetëmujor në ISS, ku po zhvillohen eksperimente shkencore dhe testime të teknologjive që lidhen me eksplorimin e ardhshëm të hapësirës.
Dy astronautët e tjerë amerikanë që morën pjesë në votim, Jessica Watkins dhe Luke Delaney, mbërritën në Stacionin Hapësinor më 1 tetor, në kuadër të një misioni të SpaceX. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje nuk ndikoi në punën dhe programin e kërkimeve shkencore në stacion.
Votimi nga hapësira u mundësua për herë të parë në vitin 1997, kur shteti i Teksasit miratoi një ligj të posaçëm që u lejonte astronautëve të votonin gjatë qëndrimit në orbitë.
Po atë vit, astronauti David Wolf u bë amerikani i parë që votoi nga hapësira, ndërsa ndodhej në stacionin hapësinor rus Mir. Më vonë, këtë shembull e ndoqën edhe astronautë të tjerë, mes tyre Kate Rubins, e cila votoi nga ISS në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.
Edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, katër astronautë amerikanë arritën të votonin nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor.
Pjesëmarrja e tre astronautëve në zgjedhjet e këtij viti u përmend edhe nga kreu i NASA-s, Jared Isaacman, i cili komentoi: “Jashtë planetit, por ende të pranishëm për të votuar”.
Votimi nga hapësira u zhvillua në të njëjtën ditë kur miliona amerikanë iu drejtuan qendrave të votimit për zgjedhjet e mesit të mandatit, të cilat do të përcaktojnë përbërjen e re të Kongresit.
Zgjedhjet e 3 nëntorit konsiderohen veçanërisht të rëndësishme për administratën e Donald Trump, pasi rezultati do të ndikojë në ekuilibrin e pushtetit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për dy vitet e ardhshme.
Për tre astronautët, procesi zgjedhor u zhvillua nga një vendvotim i pazakontë: Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, i cili orbiton Tokën në një lartësi prej rreth 400 kilometrash.
Burimi:botasot.info
