Guvernatori Sejko: Digjitalizimi i pagesave duhet të ecë paralelisht me forcimin e sigurisë kibernetike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesave, duke theksuar rritjen e përdorimit të pagesave digjitale, përfitimet nga anëtarësimi në SEPA dhe zhvillimin e pagesave të menjëhershme.

Gjatë konferencës së 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël, të organizuar në Tiranë, Sejko theksoi se numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, nga vetëm 5 një dekadë më parë, ndërsa rritja vjetore e tyre është rreth 25%.

Sipas tij, kartat në qarkullim kanë arritur në 1.6 milionë dhe gjatë vitit 2025 për herë të parë ato u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje cash.

“Rezultatet janë të matshme. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, krahasuar me 5 një dekadë më parë, ndërsa ritmi i rritjes së tyre është rreth 25% në vit. Kartat në qarkullim kanë arritur në 1.6 milionë. Gjithashtu, gjatë vitit 2025, për herë të parë, kartat u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje të parasë fizike. Këta tregues dëshmojnë një ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e përdoruesve dhe në marrëdhënien e tyre me shërbimet financiare.”, tha ai.

Sipas guvernatorit, një nga arritjet kryesore është anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), i cili ka sjellë uljen deri në 20 herë të kostove të transfertave në euro drejt vendeve pjesëmarrëse.

“Ulja e këtyre kostove lehtëson tregtinë dhe dërgimin e remitancave, nxit përdorimin e kanaleve formale dhe e bën integrimin financiar evropian të prekshëm për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare.”, shtoi ai.

Më tej, Guvernatori theksoi se krahas inovacionit dhe dixhitalimit, prioritet mbeten siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave.

“Modernizimi duhet të ecë paralelisht me forcimin e qëndrueshmërisë operacionale. Sa më shumë mbështetemi te shërbimet digjitale, aq më e rëndësishme bëhet mbrojtja ndaj kërcënimeve kibernetike, ndërprerjeve të shërbimit dhe rreziqeve që lidhen me varësinë nga ofruesit e teknologjisë.“, shtoi Sejko.

FJALA E PLOTE:

Është kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël. Banka e Shqipërisë është e nderuar ta organizojë këtë konferencë së bashku me Grupin e Bankës Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, duke e mirëpritur për herë të parë këtë forum në vendin tonë.

Tema e konferencës na fton të diskutojmë se si zhvillimi i pagesave mund të sjellë përfitime më të gjera dhe më të drejta. Për qytetarin, kjo do të thotë të dërgojë para me kosto më të ulët, të paguajë lehtësisht dhe të ketë siguri në çdo transaksion. Për biznesin, do të thotë të arkëtojë më shpejt, të administrojë më mirë fondet dhe të zgjerojë mundësitë për të tregtuar brenda dhe jashtë vendit.

Kjo konferencë zhvillohet në një periudhë transformimi të thellë të sistemeve të pagesave. Teknologjitë digjitale dhe pritshmëritë e përdoruesve po ndryshojnë mënyrën se si ndërveprojmë me shërbimet financiare. Edhe Shqipëria po ndërmerr reforma të rëndësishme, ku pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro, SEPA dhe projekti i pagesave të menjëhershme TIPS Clone përbëjnë hapa kyç. Ndaj, ky takim është një mundësi e çmuar për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar drejtimin e reformave tona të ardhshme.

Sot, qytetarët dhe bizneset presin që pagesat të kryhen shpejt, me kosto të përballueshme dhe në çdo kohë. Kartat, portofolet digjitale, shërbimet bankare në celular dhe zgjidhjet e ofruara nga institucionet e reja financiare po e bëjnë këtë përvojë gjithnjë e më të thjeshtë. Njëkohësisht, ato po ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet bankave, ofruesve të teknologjisë dhe përdoruesve.

Për bankat qendrore, ky transformim sjell përgjegjësi të shtuara. Ne duhet të krijojmë hapësirë për inovacionin, duke garantuar sigurinë e sistemeve dhe mbrojtjen e përdoruesve. Duhet të nxisim konkurrencën dhe të sigurojmë që përfitimet nga digjitalizimi të shtrihen edhe te ata që kanë më pak mundësi për t’i përdorur shërbimet financiare.

Roli ynë mbështetet në tri funksione që plotësojnë njëri-tjetrin: si operator, ofrojmë infrastrukturat bazë të pagesave; si mbikëqyrës, kujdesemi për funksionimin e tyre të sigurt dhe efikas; dhe si nxitës i reformave, bashkojmë autoritetet publike, sektorin financiar dhe partnerët ndërkombëtarë rreth objektivave të përbashkët.

Gjatë dekadës së fundit, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një program të gjerë modernizimi të tregut të pagesave. Objektivat kanë qenë të qartë: ulja e përdorimit të parasë fizike, zgjerimi i përfshirjes financiare, rritja e konkurrencës dhe përafrimi me standardet evropiane. Këta objektiva kanë orientuar si investimet në infrastrukturë, ashtu edhe përmirësimet e kuadrit ligjor e rregullator.

Rezultatet janë të matshme. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, krahasuar me 5 një dekadë më parë, ndërsa ritmi i rritjes së tyre është rreth 25% në vit. Kartat në qarkullim kanë arritur në 1.6 milionë. Gjithashtu, gjatë vitit 2025, për herë të parë, kartat u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje të parasë fizike. Këta tregues dëshmojnë një ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e përdoruesve dhe në marrëdhënien e tyre me shërbimet financiare.

Përafrimi i kuadrit tonë ligjor me parimet e direktivës evropiane PSD2 ka krijuar kushte për hyrjen në treg të ofruesve të rinj dhe zhvillimin e shërbimeve të bankingut të hapur. Për ne, kjo mundësi për konkurrencë të shtuar duhet të përkthehet në zgjedhje më të mira, tarifa transparente dhe mbrojtje të qëndrueshme të konsumatorit.

Një arritje me rëndësi të veçantë është anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA. Ajo e afron vendin tonë me tregun financiar evropian dhe lehtëson transfertat në Euro ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve në vendet pjesëmarrëse. Ulja e kostove dhe përmirësimi i shërbimit kanë vlerë të drejtpërdrejtë për sipërmarrjet që tregtojnë me partnerët evropianë, për familjet që marrin remitanca dhe për shqiptarët që jetojnë, punojnë apo studiojnë jashtë vendit.

Përfitimet nga pjesëmarrja në SEPA shprehen edhe në kursime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Transfertat në Euro drejt vendeve pjesëmarrëse në SEPA kushtojnë deri në 20 herë më pak krahasuar me periudhën përpara anëtarësimit. Kursimet e pritshme për ekonominë shqiptare vlerësohen mbi 71 milionë euro në vit. Ulja e këtyre kostove lehtëson tregtinë dhe dërgimin e remitancave, nxit përdorimin e kanaleve formale dhe e bën integrimin financiar evropian të prekshëm për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare.

Një tjetër prioritet strategjik është zhvillimi i pagesave të menjëhershme përmes projektit TIPS Clone. Synimi është krijimi i një infrastrukture që mundëson transferimin e fondeve në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Për qytetarët, kjo nënkupton disponueshmëri të menjëhershme të parave; për bizneset, arkëtime më të shpejta dhe administrim më efikas të likuiditetit.

Lidhur me përfitimet ekonomike të TIPS Clone, sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1.5% të PBB-së. Ndërkohë, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike mund t’u kursejë konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit.

Vlera e kësaj infrastrukture shkon përtej shpejtësisë së një transferte. Ajo krijon mundësi për shërbime të reja, zgjeron përdorimin e pagesave elektronike dhe mbështet digjitalizimin e aktivitetit ekonomik. Bashkëpunimi me Bankën e Italisë dhe partnerët evropianë në këtë nismë është i rëndësishëm edhe për afrimin e rajonit me infrastrukturat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Në këtë proces, edhe skemat e kartave dhe infrastrukturat e tjera të pagesave me vlerë të vogël kanë një rol të rëndësishëm. Zgjidhjet e ndryshme duhet të zhvillohen në një mjedis që nxit konkurrencën, bashkëveprimin dhe zgjedhjen e përdoruesit. Për tregjet tona, rëndësi ka që shërbimet të jenë gjerësisht të përdorshme dhe që kostot e pranimit të pagesave elektronike të jenë të përballueshme edhe për bizneset e vogla.

Modernizimi i pagesave i shërben drejtpërdrejt edhe formalizimit të ekonomisë. Transaksionet elektronike e bëjnë më të dokumentueshëm aktivitetin e biznesit dhe ndihmojnë në krijimin e një historiku financiar më të besueshëm. Kjo mund të lehtësojë vlerësimin e aftësisë paguese dhe aksesin në kredi, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla. Një ekonomi më formale krijon kushte më të drejta konkurrence dhe një bazë më të qëndrueshme për financimin e investimeve.

Në këtë kuadër, edhe qeveria shqiptare ka ndërmarrë nisma si “Shqipëria Cashless”, që synon zgjerimin e pagesave digjitale dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike. Zgjerimi i pajisjes së pikave të shitjes me terminale POS/POI, fiskalizimi dhe faturimi elektronik janë masa plotësuese që mbështesin transparencën dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik. Suksesi i tyre kërkon që detyrimet të shoqërohen me shërbime të thjeshta, kosto të përballueshme dhe informim të qartë për bizneset e qytetarët.

Të gjitha këto nisma kontribuojnë në thellimin e integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Pjesëmarrja në SEPA, zhvillimi i pagesave të menjëhershme dhe përafrimi i kuadrit rregullator me standardet evropiane krijojnë lidhje më të ngushta ndërmjet sistemit tonë financiar dhe tregut të përbashkët evropian. Në këtë mënyrë, integrimi financiar po sjell përfitime të prekshme për ekonominë shqiptare, duke e afruar vendin me tregun e përbashkët edhe përpara anëtarësimit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Modernizimi duhet të ecë paralelisht me forcimin e qëndrueshmërisë operacionale. Sa më shumë mbështetemi te shërbimet digjitale, aq më e rëndësishme bëhet mbrojtja ndaj kërcënimeve kibernetike, ndërprerjeve të shërbimit dhe rreziqeve që lidhen me varësinë nga ofruesit e teknologjisë.

Për bankat qendrore, besimi i publikut lidhet ngushtë me aftësinë e sistemeve për të funksionuar edhe në kushte të vështira. Prandaj, vijimësia e shërbimeve, mbrojtja e të dhënave dhe parandalimi i mashtrimeve duhet të jenë pjesë e çdo projekti që nga konceptimi i tij.

Përfshirja financiare mbetet gjithashtu një kusht për suksesin e këtyre reformave. Një shërbim modern ka vlerë kur njerëzit mund ta përdorin dhe e kuptojnë. Kjo kërkon edukim financiar, zgjidhje të thjeshta dhe vëmendje ndaj grupeve me më pak aftësi digjitale.

Me vështrimin nga e ardhmja, prioriteti ynë është t’i kthejmë investimet në infrastrukturë dhe reformat rregullatore në përdorim më të gjerë dhe përfitime të matshme. Kjo kërkon angazhim të përbashkët: nga autoritetet për një kuadër të besueshëm, nga sektori financiar për shërbime cilësore dhe nga partnerët tanë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojës. Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë këtë bashkëpunim, në funksion të një tregu pagesash më efikas dhe më gjithëpërfshirës.

Në përfundim, dëshiroj të falënderoj Grupin e Bankës Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë për bashkëpunimin në organizimin e kësaj konference, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre. Jam i bindur se diskutimet e këtyre ditëve do të sjellin ide dhe përvoja të vlefshme për vendet tona.

Burimi:botasot.info