Hyrja e fshatit Luboten do të shndërrohet në një hapësirë të gjelbër dhe rekreative për banorët. Deponia e egër, e cila për vite me radhë kishte dëmtuar pamjen e kësaj zone, së shpejti do t’i takojë së kaluarës, pasi në vend të saj Komuna e Butelit do të ndërtojë një park të madh.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili përmes një postimi ka njoftuar se tashmë kanë nisur ndryshimet në hyrje të Lubotenit, me synimin që një hapësirë e shndërruar në deponi të kthehet në një park të bukur dhe të gjelbër.
Kostovski theksoi se asnjëherë më parë nuk është punuar kaq shumë për Lubotenin, duke përmendur si projekte konkrete realizimin e rrjetit të ujësjellësit, një kërkesë e kahmotshme e banorëve, si dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve dhe rrugicave të fshatit.
Ai rikujtoi se para banorëve kishte marrë edhe zotimin se deponia e egër në hyrje të fshatit do të largohej dhe në atë hapësirë do të ndërtohej një park i madh, ku banorët do të mund të kalojnë kohën e lirë dhe të rekreohen.
Ndërkohë, banorët e Lubotenit që ishin të pranishëm e falënderuan Kostovskin për angazhimin, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e vëmendjes së kryetarëve të mëparshëm ndaj kësaj zone. Sipas tyre, është e turpshme që drejtuesit e kaluar të komunës as që kishin vizituar këtë pjesë të Butelit.
Ata vlerësuan angazhimin e kryetarit aktual dhe theksuan se investimet dhe kujdesi për komunën duhet të shtrihen në çdo vendbanim, pa dallim se për cilën pjesë të Butelit bëhet fjalë.
Nga një hapësirë e mbuluar me mbeturina, hyrja e Lubotenit synon të shndërrohet në një pikë të re gjelbërimi dhe rekreacioni për komunitetin.
