Talenti i madh i futbollit, Lutfi Dalipi, është në qendër të vëmendjes në Zvicër.
“Talenti i radhës vendos të mos luajë për Zvicrën”, është titulli i mediumit zviceran “Blick”.
Sipas mediumit zviceran, vendimi duket se është marrë: Lutfi Dalipi (20), talenti i ri i Young Boys, i cili aktualisht luan te Vaduz, nuk do ta përfaqësojë në të ardhmen Kombëtaren e Zvicrës.
Federata Zvicerane e Futbollit rrezikon të humbasë një tjetër talent premtues, të formuar në futbollin zviceran.
Emri i Lutfi Dalipit po bën gjithnjë e më shumë bujë. Në Superligën zvicerane, ku luan me Vaduzin, 20-vjeçari po shkëlqen me paraqitjet e tij, ndërsa interesimi për të vjen nga disa klube të njohura evropiane.
Në mesin e klubeve që po e përcjellin nga afër janë Stuttgart, Hoffenheim, Eintracht Frankfurt dhe Red Bull Salzburg. Sipas raportimeve, disa prej klubeve të interesuara janë të gatshme të paguajnë edhe shuma dyshifrore në miliona euro për transferimin e tij.
Por, para se të vendosë për të ardhmen në futbollin e klubeve, Dalipi duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën ndërkombëtare.
Dalipi nuk e zgjedh Zvicrën
Përveç Zvicrës, talenti 20-vjeçar, ka të drejtë të luajë edhe për Portugalinë, Shqipërinë ose Kosovën.
Sidomos federatat shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë shfaqur interesim të madh për ta bindur futbollistin që t’u bashkohet përfaqësueseve të tyre.
Madje, sipas mediumit zviceran “Blick”, të shtunën e kaluar në Cyrih është zhvilluar një takim me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Premtimi ndaj gjyshit
Sipas informacioneve të “Blick”, Dalipi tashmë ka marrë një vendim parimor: Zvicra nuk do të jetë zgjedhja e tij.
Emri i tij mungon edhe në listën e publikuar nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
“Është një lojtar i ri dhe interesant, i cili ka tërhequr vëmendjen me statistikat e tij. Megjithatë, përderisa kam kaq shumë futbollistë në dispozicion në mesfushën qendrore, do të jetë e vështirë që ai të përfshihet në këtë listë”, ka deklaruar Yakin.
Dalipi duket se është i vetëdijshëm për konkurrencën e madhe në përfaqësuesen zvicerane. Ai madje ka refuzuar edhe ftesën e Kombëtares U21 të Zvicrës për ndeshjet e ardhshme, duke mos dashur t’ia zërë vendin një futbollisti tjetër, pasi vendimin për të ardhmen ndërkombëtare tashmë e ka marrë.
Dalipi i ka premtuar gjyshit të tij se në të ardhmen do të luajë për Shqipërinë ose Kosovën.
Vendimi përfundimtar pritet të bëhet i ditur gjatë javëve të ardhshme.
Zvicra humbet një tjetër talent
Me këtë vendim të mundshëm, futbolli zviceran rrezikon të humbasë një tjetër futbollist premtues, pas Leon Avdullahut, Albian Hajdarit dhe Alessandro Romanos, të cilët brenda një periudhe prej një viti e gjysmë kanë zgjedhur përfaqësuese të tjera.
Përzgjedhësi Murat Yakin ka komentuar edhe këtë situatë: “Ne nuk mund të ndikojmë se cilën kombëtare do ta zgjedhë një futbollist. Ne i qëndrojmë strategjisë sonë. Një ftesë duhet të ketë kuptim nga aspekti sportiv.
Nuk mund t’i ftojmë të gjithë futbollistët me dyshtetësi dhe t’u japim disa minuta lojë vetëm që të jenë të lidhur përfundimisht me ne. Duhet të jemi të drejtë edhe ndaj lojtarëve që janë pjesë e ekipit prej kohësh”.
A do të realizohet plani i Young Boys?
Ndërkohë, një transferim i mundshëm i Dalipit gjatë afatit kalimtar të janarit konsiderohet pak i mundshëm.
Young Boys, klubi që zotëron kartonin e tij, ka një fjalë të rëndësishme për të ardhmen e futbollistit, pasi Dalipi ka kontratë afatgjatë deri në qershor të vitit 2030.
Plani i klubit zviceran duket të jetë që Dalipi një ditë ta zëvendësojë Alvyn Sanchesin.
Mbetet të shihet nëse ky plan do të realizohet dhe nëse talenti shqiptar do të vazhdojë të shkëlqejë me statistika dhe paraqitje të tilla edhe në muajt e ardhshëm.
Burimi: botasot.info
