Suedezët testojnë avionin luftarak të kontrolluar nga inteligjenca artificiale

Kompania SAAB ka zhvilluar sistemin e saj të inteligjencës artificiale, i aftë për të kontrolluar një avion luftarak, për të kryer manovra komplekse dhe për të marrë vendime taktike gjatë luftimeve ajrore.

Në vend që piloti të duhet të analizojë të gjithë informacionin dhe të vendosë për çdo lëvizje, një pjesë e madhe e këtyre detyrave tashmë mund të kryhen nga inteligjenca artificiale.

Prodhuesi suedez i pajisjeve të mbrojtjes njoftoi këtë javë se sistemi ka drejtuar me sukses një avion luftarak “Gripen E” gjatë fluturimeve provë, pa ndërhyrjen e vazhdueshme të një piloti njerëzor, në distanca ku avionët armiq nuk janë të dukshëm me sy të lirë. Kompania theksoi se sistemi mund të integrohet në forcat ajrore brenda pak muajsh.

Sistemi krijon skenarë të ndryshëm, monitoron vendimet e inteligjencës artificiale, vlerëson suksesin e tyre në raport me objektivat e përcaktuara dhe më pas përmirëson sjelljen e agjentëve. Për shembull, inteligjenca artificiale mund të kryejë simulime që përfshijnë avionë të shumtë armiq, të cilët afrohen me shpejtësi të ndryshme, nga drejtime të ndryshme dhe në largësi të ndryshme.

Në skenarë më kompleksë, inteligjenca artificiale duhet të marrë vendime edhe kur të dhëna të caktuara janë të paplota ose të padisponueshme.

Saab thekson se avantazhi i kësaj qasjeje qëndron në faktin se një agjent i inteligjencës artificiale mund të përballet me një numër situatash shumë më të madh sesa mund të hasë një pilot njerëzor gjatë gjithë karrierës së tij.

Burimi:botasot.info