Gërvalla takohet me zëvendëspresidentin e Eurojust-it: Krimit të organizuar i përgjigjemi me bashkëpunim ndërkombëtar

Ministrja Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me zëvendëspresidentin e Eurojust-it, Jose de la Mata Amaya, me të cilin ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka theksuar se krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe se as drejtësia nuk duhet të ndalet përballë tyre.

Ajo ka vlerësuar se, në një kohë kur rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve shtetërorë, bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) është i domosdoshëm.

Postim i plotë:

Krimit të organizuar i përgjigjemi me forcën e bashkëpunimit ndërkombëtar

Në takimin me z. Jose de la Mata Amaya, zëvendëspresidentin e Eurojust-it, Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, theksova se krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe as drejtësia nuk guxon të ndalet te kufijtë.

Në një kohë kur krimi i organizuar, korrupsioni dhe rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve shtetërorë, bashkëpunimi i ngushtë me Eurojust-in është i domosdoshëm. Asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë. Koordinimi i hetimeve dhe ndjekjeve penale, shkëmbimi i informatave dhe provave dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore janë mekanizma që forcojnë aftësinë e institucioneve për ta luftuar krimin, pavarësisht se ku zhvillohet veprimtaria e tij.

Asnjë shtet nuk duhet të bëhet strehë për kriminelët, asnjë kufi nuk duhet të shërbejë si mburojë ndaj ligjit dhe asnjë boshllëk në bashkëpunimin ndërkombëtar nuk duhet t’i japë hapësirë pandëshkueshmërisë.

Do të vazhdojmë të thellojmë e forcojmë bashkëpunimin me Eurojust-in dhe partnerët evropianë, sepse lufta kundër krimit të organizuar kërkon institucione të forta, bashkërendim ndërkombëtar dhe vendosmëri të palëkundur për ta çuar drejtësinë deri në fund, pavarësisht kufijve dhe fuqisë së rrjeteve kriminale

Burimi: botasot.info