Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një aksion kundër krimit të organizuar, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar dhe sekuestrimin e pasurisë në vlerë mbi një milion euro.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi, duke theksuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale po vazhdon pa kompromis, transmeton “Bota sot”.
Sipas Sveçlës, tre personat e arrestuar dyshohen për përfshirje në veprat penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe shpëlarjes së parave.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë mbeten të përkushtuara në identifikimin, hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale, pavarësisht formës dhe mënyrës së veprimtarisë së tyre.
“Çdo aktivitet kriminal që synon përfitimin e paligjshëm dhe cenon sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve do të përballet me zbatimin e ligjit”, ka deklaruar Sveçla.
Ministri nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e të arrestuarve dhe lokacionet ku është zhvilluar aksioni.
Burimi: botasot.info
