GazetaMax
Lajme

Alarmante/ 30.5 milionë raste të reja në vit dhe 18.6 milionë vdekje nga kanceri

Një ditë, në vitin 2050, rreth 83 mijë persona në botë do të dëgjojnë të njëjtën fjali: “Ju keni tumor.” Është sikur çdo mëngjes një qytet i tërë të preket nga sëmundja. Në total, kjo do të përkthehet në 30.5 milionë raste të reja në vit dhe 18.6 milionë vdekje. Ky është parashikimi i frikshëm që bën një studim i realizuar nga Global Burden of Disease Study Cancer Collaborators, e botuar në The Lancet, që përshkruan rritjen e rasteve të kancerit nga viti 1990 deri në 2023 dhe jep parashikime deri në mes të shekullit. Studimi përfshin të dhëna nga 204 vende dhe territore për 47 lloje ose grupe tumoresh.

Nga viti 1990 deri në vitin 2023, rastet e tumoreve janë më shumë se dyfishuar, duke kaluar nga 9 milionë në 18.5 milionë. Vdekjet janë rritur me 74%, duke arritur në 10.4 milionë (pa përfshirë tumoret e lëkurës jo-melanoma). E ardhmja duket edhe më alarmante: gjatë 25 viteve të ardhshme, diagnozat e reja pritet të rriten me 61%, ndërsa vdekjet nga kanceri me 75%, duke arritur në 18.6 milionë, të nxitura nga rritja e popullsisë dhe plakja globale.

Sipas autores së parë të studimit, Lisa Force nga Instituti për Matjen e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, kanceri do të ketë ndikim gjithnjë e më të madh në vitet që vijnë, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme (LMICs). Edhe pse ka nevojë urgjente për veprim, kontrolli i kancerit nuk është ende një prioritet global dhe financimet janë të pamjaftueshme.

Aktualisht, më shumë se gjysma e rasteve të reja dhe dy të tretat e vdekjeve ndodhin në këto vende. Ndërsa vendet me të ardhura të larta kanë arritur të ulin normat e vdekshmërisë me 24% që nga viti 1990, në vendet me të ardhura të ulëta, normat e rasteve të reja janë rritur me 24%, dhe në ato me të ardhura mesatare me 29%.

Libani ka pasur rritjen më të madhe të rasteve dhe vdekjeve, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shënuar rënien më të madhe të rasteve, dhe Kazakistani të vdekshmërisë. Në vitin 2023, tumori më i diagnostikuar ishte tumori i gjirit, ndërsa kanceri i trakesë, bronkeve dhe mushkërive ishte shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri. Studimi tregon se 42% e vdekjeve nga kanceri në vitin 2023 (rreth 4.3 milionë vdekje) mund t’i atribuohen 44 faktorëve të rrezikut të ndryshueshëm. Faktori kryesor është duhani, përgjegjës për 21% të vdekjeve globale.

Te burrat ndikojnë më shumë:

-pirja e duhanit

-dieta e keqe

-alkooli

-rreziqet në punë

-ndotja e ajrit

Te gratë ndikojnë:

-duhani

-marrëdhëniet seksuale të pambrojtura

-obeziteti

-dieta jo e shëndetshme

-sheqeri i lartë në gjak

“Katër nga dhjetë vdekje lidhen me faktorë të njohur dhe të modifikueshëm. Kjo tregon se parandalimi është realisht i mundur”, thekson Theo Vos, nga i njëjti institut, citon La Stampa. Edhe pse numri absolut i rasteve dhe vdekjeve do të rritet nga viti 2024 në 2050, një fakt pozitiv është që normat e standardizuara sipas moshës nuk do të rriten. Kjo do të thotë se rritja është për shkak të shtimit të popullsisë dhe plakjes, jo përkeqësimit të sëmundjes vetë.

Megjithatë, jemi ende larg nga qëllimi i Kombeve të Bashkuara për të reduktuar me një të tretën vdekshmërinë e parakohshme nga sëmundjet jo ngjitëse, përfshirë kancerin, deri në vitin 2030. Në shumë vende, mungon:diagnostikimi i hershëm, trajtimet modern, regjistrat kombëtarë të kancerit

Meghnath Dhimal, nga Këshilli i Kërkimeve Shëndetësore të Nepalit, paralajmëron: “Rritja e rasteve të kancerit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme është një katastrofë që po vjen”. Ai bën thirrje për ndërhyrje me kosto të ulët dhe bashkëpunim të gjerë sektorial. Ekspertët bien dakord se investimet në parandalim dhe forcimi i sistemeve shëndetësore duhet të bëhen prioritet urgjent global. /Koha/

Related posts

Largimi i mjegullës nuk e uli nivelin e lartë të ndotjes në Shkup

Gazeta Max

Qeveria nesër do të mbajë mbledhje solemne për 24 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Gazeta Max

Osmani: Kuota edhe për të rinjtë që të jenë në lista për deputetë

Gazeta Max