GazetaMax
Ballina

Albanian Post për Ali Ahmetin: Personalitet shqiptar i vitit 2023

Kur më 1981 studentët shqiptarë u revoltuan dhe u arrestuan në Prishtinë, aty ishte Ali Ahmeti. Kur më 1982 mbajtën përvjetorin e protestës, aty ishte Ali Ahmeti. Kur në fund të 80-tave shqiptarët filluan organizimet në ilegalitet, pjesë e organizimeve ishte Ali Ahmeti. Kur me 1989 u kuptua se pa luftë s’bëhet rezistenca e pretenduar, mes atyre që e kuptuan ishte Ali Ahmeti. Kur filloi lufta, luftoi Ali Ahmeti. Kur Kosova u çlirua, por shqiptarët në Maqedoni mbetën keq, filloi një luftë tjetër Ali Ahmeti. Kur lufta u fitua dhe u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e mundësoi Ali Ahmeti. Kur një shqiptar për herë të parë në Maqedoni u bë kryetar parlamenti, ishte nga partia që e themeloi Ali Ahmeti. Kur në janar të vitit 2024 një shqiptar do të marrë postin e Kryeministrit të Maqedonisë Veriore do të jetë për shkak të Ali Ahmetit.

Guerili dinak, gjenerali stoik dhe politikani racional, Ali Ahmeti, përbën histori unike.

Është ushtaraku dhe politikani shqiptar ndër më të suksesshmit në dy shekujt e fundit.

99 për qind të rasteve lëvizjet guerlie nuk kanë sukses, 100 për qind të rasteve guerliet e Ali Ahmetit patën sukses.

Ai është pagëzuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë.

Përfshirë edhe Kosovën, Ahmeti aktualisht është lideri i vetëm që ka zgjatim nga UÇK-ja.

Kur më 28 janar të vitit 2024, siç e thotë marrëveshja politike, do të emërohet kryeministri shqiptar i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, do të përbëjë suksesin më të madh politik për shqiptarët qysh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Përkundër se një arritje e kësaj shkalle, kur ishte prezantuar në 2020-në akordi me kryeministrin shqiptar brenda, Ahmeti kishte refuzuar të marrë merita për vete edhe pse i takonin të gjitha.

“Përgëzoj Zaev-in për guximin”, tha me një shpërfillje të pakuptueshme në raport me rëndësinë e momentit.

Për dikë që ka mundur të ketë rënë në gjendje kome në vitin 2000 dhe zgjuar tre ditë pa përfunduar janari i 2024-së avancimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është i paperceptueshëm.

“Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë”, lexohet si titull fiksioni.

Edhe pretendimet e shqiptarëve të Maqedonisë për të krijuar një segment paralel pas vitit 1992 me idenë e formimit të një territori autonom, kur radikalizuan kërkesat për të drejta më të madhe politike kolektive, ngjajnë kaq modeste.

Ndryshe nga ideja e një diferencimi për përfitim të ngadaltë, Ahmeti i shkoi një rruge tjetër duke krijuar shtegun e luftës fillimisht dhe më pas tregoi elasticitetin e mjaftueshëm për të synuar dhe arritur një integrim substancial.

Për shkak të këtij vizioni, shqiptarët kanë aktualisht 32 deputetë, nga gjithsejtë 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit është shqiptar, Zëvendës-kryeministri i parë është shqiptar, Ministri i Punëve të Jashtme është shqiptar, Ministri i Financave është shqiptar dhe gjithashtu edhe 8 ministri të tjera që përbëjnë gjysmën e Qeverisë udhëhiqen nga shqiptarët.

Kryetarja e Gjykatës Supreme është shqiptare. Gjykata Administrative? Prapë një shqiptar. Kryeprokurori për Krim të Organizuar dhe luftë kundër Korrupsionit është shqiptar, Prokuroria e Lartë e Shtetit ka në krye një shqiptar, Avokati i Shtetit është shqiptar, Avokati i Popullit shqiptar, kryetari i Federatës së Futbollit është shqiptar, kryetari i Federatës së Boksit është shqiptar, Federata e Mundjes e ka të parin shqiptar.

Një numër i madh i trupave rregulluese shtetërore, zëvendës-ministra, drejtorë institucionesh po ashtu shqiptarë.

Shkollat e mesme, në të cilat dikur mësohej veç në maqedonisht, të gjitha janë edhe në shqip, derisa shqiptarët kanë tri universitete shtetërore.

Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në institucione, presidencë, kuvend, qeveri, komuna. Është edhe në uniformën e policisë.

Ka Agjenci për Zbatim të Gjuhës shqipe, ka Inspektorat për Gjuhën Shqipe.

Flamurin kombëtar e kanë me Kushtetutë, Kosova nuk e ka.

Dhe po të mblidhet territori i komunave që udhëhiqen nga shqiptarët përbën pothuajse territor të ngjashëm me atë të shtetit të Kosovës.

Ali Ahmeti, që për një pjesë të mirë të jetës kalonte kufijtë maleve, si i kërkuar herë nga serbët e herë nga maqedonasit, thepat do të mund t’i shoh me nostalgji derisa lëvizë në udhëkryqet rrugore që nyjëzojnë tri shtetet e udhëhequra nga shqiptarët, pasi po përfundon projektin e Korridorit të 8-të që lidhë Shkupin me Tiranën, Durrësin e Vlorën. Ose nëpër autostradën Shkup – Prishtinë, apo atë Tetovë – Prizren.

Mund të përdorë edhe trenin, meqë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po e bëjnë hekurudhën Shkup – Durrës. Rrugën e Arbrit Kërçovë – Dibër. Lidhjen energjetike Manastir – Elbasan.

Janë 3.5 miliardë euro projekte që Ahmeti me bashkëpartiakët e tij po menaxhojnë për ta realizuar bashkimin kombëtar me mjete të tjera, për qëllime të njëjta.

Kur ushtritë guerlie fillojnë aksionet nisen me kërkesa maksimaliste të vetëdijshme se ato përbëjnë vetëm pozicionin ekstrem dhe të gatshme të zhvendosen më në mes për një kompromis. UÇK e Maqedonisë duhet të jetë e vetmja guerile në botë që realizimin e ka përtej kërkesave maksimaliste fillestare.

Në artikullin e BBC-së “Who are the rebels?”, të vitit 2001, gazetari briatnik kishte udhëtuar fshatrave të Tetovës me një pyetje.

Kush janë “të çmendurit” që kërkojnë edhe një luftë, kur ata s’po përkraheshin nga asnjë qeveri e botës, madje – zyrtarisht – as nga ajo e përkohshmja e Kosovës?

Kërkesa e komandantit anonim ishte vetëm se “duam të pranohemi si të barabartë” dhe “ftojmë politikanët maqedonas e shqiptarë që të merren vesh”.

Meqë formalisht shqiptarët ishin në koalicion qeverisës në Maqedoni, si do të mund të mbështetej një guerlie kur ekzistonin mjetet politike për arritjen e qëllimeve?

NATO kishte mbështetur një UÇK për të drejta të njeriut në Kosovë, por s’do ta mbështeste një UÇK tjetër që portretizohej si lëvizje që kërkon territor.

Vështirë e përbishme ishte edhe për njerëz si Arbër Xhaferi.

“Kjo është një aventurë”, kishte thënë një herë, në mosbesim.

Në fillimet e luftës besohej se UÇK kishte mes 200 e 800 ushtarë.

Si do ishte e mundur të fitohej kjo luftë?

UÇK e Maqedonisë me komandant suprem Ali Ahmetin

Kjo s’kuptohet dot nga leximi mekanik i historisë.

Për të dhënë përgjigje në këtë pyetje leximi i zhvillimeve ndihmon fare pak.

Është e pamundur të zbërthesh mbivendosjen e gjasave që ndodhi në atë kohë përveç nëse takohesh dhe bisedon personalisht me historinë.

Për këtë arsye, tash kur ka më pak se një muaj nga momenti i kryeministrit shqiptar, vendosëm ta vizitonim Ali Ahmetin në selinë e tij.

Kryeqyteti politik i Maqedonisë Veriore është Shkupi, por njeriu që tërheq penjtë qëndron 52 kilometra larg Shkupit.

Selia më e madhe e Bashkimit Demokratik për Integrim është po ashtu në Shkup, por kryetari i saj rrallë e viziton.

Ai rri në Tetovë.

Ali Ahmeti është nga të paktët që e kupton se ndërtesat nuk u japin pushtet njerëzve. E kundërta është e vërtetë.

Selia e BDI-së në Tetovë nuk është në qendër të qytetit. Ndërtesa nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në kuptimin arkitektonik dhe nuk përbën objekt ekstravagant. Nuk bie në sy.

Në korridoret e katit të dytë, ku është e vendosur edhe zyra e Ahmetit, ka piktura më shumë se në ndonjë ekspozitë.

Të gjitha janë portrete. Kryesisht portretet janë ushtarakë. Të gjithë janë të vdekur. Kryesisht bashkëveprimtarë të Ali Ahmetit.

Si klandestin që është – me gjasë – plotësisht u beson veç atyre.

“Ohooo Baton”, përshëndeti nga larg Batonin dhe filloi të ngrihet për të na përshëndetur edhe ne të tjerëve. Po të mos lëvizte ai dhe tymi i cigares, do të mund të gabohej për ndonjë nga portretet e varura në mur.

Ali Ahmeti po na priste.

Para se të njoftoheshim me të, u njoftuam me erën e cigares qysh në hyrje të ndërtesës.

“E pin’ pa pushim”, na paralajmëroi Batoni.

Ali Ahmeti, një përshkrues i jashtëzakonshëm i situatave, e ka të pamundur të flasë për çfarëdo aktualiteti pa ia dhënë një referencë historike. Gjithçka shkon në të kaluarën dhe kthehet prapë.

Disi paradoks, ai pyet bashkëpunëtorët e tij t’ia kujtojnë emrin e ndonjë personazhi aktual, “si e pati ai ministri emrin…”. Por, mban mend Safet Pashën e Sadullah Bey-in se si nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit me rusët Nikollas Ignatievin e Aleksandër Nelidov-in dhe copëtuan tokat shqiptare në favor të Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi në vitin 1878.

Ky opus i habitshëm edhe për mikrohistorinë ia kishte fituar një kusht me Batonin dhe disa të tjerë kur në një bashkëbisedim u kishte thënë se me marrëveshjen e re për koalicionin qeveritar do ta nxjerr edhe një kryeministër shqiptar.

“Ju kam thënë, ‘ju nuk e njihni situatën në Maqedoni si unë’, prandaj dhe kam fituar”, thoshte me nënqeshje fituesi derisa nxjerrë shllunga tymi të cigares që asnjëherë nuk përcillnin trajektoren e njëjtë.

“Kur unë iu thosha se ‘jo që besoj, por edhe do bëhet kryeministër shqiptar’, ky ishte skeptik”, tha dhe bëri një pauzë.

Për ata që e njohin e dinë që pauza është veç një tërheqje taktike për pasuesin kryesor të fjalisë, i cili vjen në momentin kur është i sigurt se gjithë vëmendja e dhomës ka një pikë rëndese. Atë.

“…dhe kjo më bënë mua nevrik”, vazhdoi dhe zhyti vetën në një dozë mllefi.

“Sepse ju, ne, shqiptarët jeni mosbesues”.

“Kjo më bënë nevrik”.

Foto nga intervista me Ali Ahmetin

Më pak nevrik ishte kur tregonte se ka mijëra histori të identifikimit të rrënjëve shqiptare për presona që shqiptarët i njohin si maqedonas.

Përmendi një gjyqtare që ky iu gëzua emërimit të saj për çudinë e shumë kujt.

Ajo, ndryshe nga sa e identifikonte emri i sllavizuar, ishte shqiptare. “24 karat shqiptare”, më saktë.

Një person karizmatik nga ata që janë në zhdukje, Ahmeti mbështjellë dhomën me forcën e personalitetit të tij, derisa me një shqipe melodike të mbushur tregime vivide vizaton me fjali se si me 13 korrik të 1878-së fuqitë e mëdha ristrukturuan sërish rajonin e Ballkanit me Traktatin e Berlinit, por prapë shqiptarët s’fituan gjë.

Megjithatë, kjo çoi te Lidhja e Prizrenit, e cila Ahmetit i kujtoi diçka që i gjen shembull edhe sot.

“Lidhja e Prizrenit nuk e shpalli autonominë”, por kjo s’kishte rëndësi, sepse “bëri projekt për të”.

“100 vjet na ka shërbyer; Lidhjen e Prizrenit e kemi pasur platformë”.

Ahmeti kishte shumë të drejtë. Formalisht Lidhja u shua në vitin 1881, vetëm 3 vjet pasi u shpall.

Në atë që njihej si “Kararname” apo “Dekreti i Vendimeve” as nuk kërkohej një pavarësi, por autonomi brenda Perandorisë. 16 pikat e dokumentit që fillimisht thoshte se do ta mbrojë integritetin territorial të Perandorisë Osmane, u tejkaluan radikalisht dhe shqiptarët gjetën veten tek luftonin perandorinë për integritetin e tyre territorial.

“Prandaj, më rëndësi është që do jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut”, ndërlidhë 2024-në me 1878-në Ahmeti, për të kaluar në një tjetër referencë, në vitin 1903.

“Pak ditë Republika e Krushevës ka qëndruar, 120 vjet më pas flitet”. “Apo jo?”.

Tek vazhdon me një ton ironik, ai përmend edhe një kritikë të pavend të këtyre kohëve të fundit.

“Çka është kjo? ‘Kryeministër shqiptar po do jetë vetëm 100 ditë?’”, çon kokën pak dhe e kthen anash.

“Hasan Prishtina ka qenë veç 5 ditë”, kujton 1921-në kur Hasan Bej kishte filluar punën me 7 dhjetor si kryeministër e përfunduar me 12 të të njëjtit muaj.

“Ne duke mos u shkarkuar prej egos, prej vetëpëlqimit – gjithmonë duke e ushqyer krahinorizmin, principatat – kemi humbur, sepse s’kemi arritur që ta kuptojmë misionin. Kombet që janë bërë e kanë kuptuar misionin”.

Me këtë mësim nga historia Ali Ahmeti idenë e të qenurit i pari si pozicion e shpërfillë me gërditje.

“Gara mes veprimtarëve se kush të jetë i pari, ne na bëri kështu”, thotë.

Me “kështu” nënkupton një pozicion që në raport me përmirësimin e 30 vjetëve të fundit është shumë i mirë, por në krahasim me imagjinatën e tij jo.

Ahmeti i vuan edhe centimetrat.

“Shqipëria e sotshme është, po hipe në Korab – po e them me dhimbje – me një shkop të gjatë bie në Shëngjin”, e pohon dhe prapë kujton Traktatin e Shën Stefanit që e ka aq inat, saqë edhe në momente kënaqësie i vjen si prishës festash.

Sa të patejkalueshme e ka këtë ngjarje e shpërfaq edhe një moment kur po kryente një vizitë në Turqi.

Atje, gjatë një interviste,  gazetari ishte detyruar ta ndërpriste.

“Zotëri Ahmeti, unë ju pyeta për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, pse shkoni në shekullin 19-të?”, i kishte thënë gazetari.

“Po po, ama Shën Stefani…”, vazhdonte Ahmeti.

“Ua kanë marrë shqiptarëve pjesët më të mira; rrafshin e Dukagjinit; rrafshin e Kosovës, rrafshin e Vardarit, rrafshin e Pollugut… na kanë lënë një Shqipëri 75 për qind me male të egra”.

I përfshirë kaq shumë me përmirësimin e gabimeve historike, ai nuk do t’i bëjë vetë disa të tjera.

“Kur preokupim e ke pyetjen: Ku do jetë emri im në histori, atëherë nuk do t’i shërbesh fare procesit. Nuk ndihmon gjë”, tha kur e pyetëm përse asnjëherë nuk e ka shpërblyer vetën me ndonjë post ekzekutiv në institucionet e Maqedonisë së Veriut.

Ka shumë që thonë se Ahmeti nuk pranon, sepse ai e projekton vetën vetëm si udhëheqës i shqiptarëve e si kryeministër do të duhej të ishte edhe i maqedonasve.

Ai e mohon. “S’është kështu”, thotë.

Çështja është se “unë nuk jam nostalgjik, folklorist apo emocional”.

Ali Ahmeti përpiqet të jetë “racional”, sepse “vetëm përmes racionalitetit mund t’i shërbesh procesit”.

“Përmes folklorizmit, emocioneve dhe preokupimit se ku do të jem unë, ku do të jetë emri im në histori s’ke bërë gjë. S’je as i dobishëm”.

Megjithatë, është e vështirë ta pajtosh këtë shpjegim të Ahmetit me rrugëtimin e tij.

Njëjtë si kur ishte i ri, ai vazhdon të jetë thatanik. I pashëm po, por jo shumë i gjatë. Figura e tij nuk përkon fare me synimin dhe arritjet.

Ali Ahmeti gjatë intervistës.

Qysh në gjimnaz, kur kishte “zbritur nga mali”, siç e quan ai ardhjen për vazhdimin e shkollës nga Zajazi në Kërçovë, kishte menduar për ndryshimin gjeneracional. Në vazhdimësi të shtypur dhe poshtëruar nga strukturat sunduese, Ali Ahmeti dekretoi vetën me detyrën e transformimit të gjendjes.

Në rrethana si ato, këtë vendim të Ahmetit s’e ratifikon racionalja.

Por, të kaluarit kohë më të ndihmon të kuptosh një kombinim interesant që jeton brenda tij, kur idealisti dhe i urti bashkëveprojnë çuditshëm.

Një situatë shpjeguese është viti 2004 kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Javier Solana, bashkë me dy këshilltarë të tij, i kishin thënë Ahmetit se duhet të bëhet pjesë e qeverisë.

Si shqiptari me pushtetin më të madh faktik në Maqedoninë, Ahmeti duhej ta ambalazhonte fuqinë e tij me një pozitë zyrtare.

“S’është punë që bëhet”, u kishte thënë Ahmeti shkurt.

Ndërkombëtarët – që dikur e mohonin – tash insistonin që Ahmeti të pranonte.

“Unë nuk jam i përgatitur për të pranuar një funksion të tillë”, i kishte habitur me përgjigje.

“Vij nga një lëvizje rebele, herë e dëgjueshme dhe herë e padëgjueshme. I takoj lëvizjes studentore të 81-së. Duke qenë në ekzekutiv nuk mendoj që i shërbej misionit për të cilin angazhohem”, ua kishte përsëritur Ahmeti disa herë.

Debati vazhdoi për një kohë, por si zakonisht përfundoi në pozicionin fillestar të ish-udhëheqësit gueril tash politikan.

Rreth 10 vjet më vonë Solana s’ishte më dhe në Maqedoni kishte shpërthyer bombat Zoran Zaev, shefi i opozitës.

Tensionet mes tij e kryeministrit nga VMRO-DPMNE-ja ishin të larta. BE-ja s’mund të rrinte apatike ndaj zhvillimit dhe i duhej të ndërhynte.

Ish-bashkëpunëtorët e Solanas që vazhdonin të punonin si burokratë në BE, kërkuan nga Ahmeti që të bënte njëfarë ndërmjetësimi mes Zaev-it e Gruevksi-it për të shpëtuar Maqedoninë nga rreziku i madh i shpërthimit qytetar.

Ai ishte njeriu i përshtatshëm, meqë asnjëherë s’ishte pozicionuar personalisht si vartës ekzekutiv në qeveritë maqedonase, prandaj kishte krijuar profil të pranueshëm për të gjithë.

Ahmeti ishte bërë nyja kyçe për ndërkombëtarët. Ai takohej me të dy, Zaevin e Gruevskin dhe u ndihmonte ndërkombëtarëve në moderim.

“Ali paske pasur të drejtë ti dhe jo ne. Po të merrje post atëherë, sot s’do ishte në këtë pozicion. Tani po e kuptojmë misionin”, i kishte thënë një nga ndërkombëtarët.

Qëndrimi i vazhdueshëm netural i tij karshi pozitave të shtetit për vete i kishte nxjerrë pasaportë për tek secili.

Po tani, pse jo kryeministër?

“Sepse unë e kuptoj partnerin. Ai që është serioz, që mendon për shtet, e kupton. Dhe mbi të gjitha, ne akoma jemi në proces të avancimit, e të lartësimit të pozicionit të shqiptarëve. Akoma jemi në proces, ndonëse ne themi se ‘i kemi arritur’, kemi edhe shumë punë”, thotë Ahmeti.

I përzgjedhuri për kryeministër është Talat Xhaferi.

Ahmeti mund të mos e pranoi, por emërimi i Xhaferit përmban shumë simbolika domethënëse.

Si fillim, Xhaferin s’mund ta kontestojë si personalitet as opozita aktuale e udhëhequr nga VMRO-ja.

Ata vetë më parë kishin pranuar që ky të jetë Ministër i Mbrojtjes.

Në anën tjetër, Xhaferi është ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. E për më tepër, për t’u bërë pjesë e UÇK-së ai kishte dezertuar nga pozita që mbante në ushtrinë e Maqedonisë.

Një komandant i UÇK-së Kryeministër i Maqedonisë së Veriut? Veç Ali Ahmeti mund ta ketë menduar këtë skenar krejtësisht të pabesueshëm.

Por, s’do të ishte hera e parë.

Ai qe një nga dizajnuesit i një lufte paradigmatike që zhvilloi UÇK-ja.

Studiuar mirë disa nga teoricienët më të zotë të ushtrisë amerikane, UÇK-ja kishte përvetësuar atë që njihej si “Lufta e Gjeneratës së Katërt”.

Kjo lloj lufte, ndryshe nga gjeneratat e më hershme të luftërave, nuk provon të fitojë me dominimin e forcave ushtarake të armikut, por atakon mendjet e tyre duke shkatërruar vullnetin politik për të bërë luftë.

“Fitore sa më e madhe, me humbje sa më të vogla”, e përkufizon Ahmeti.

Siç pranohet edhe nga studiues të guerileve, nëse merret parasysh i gjithë konteksti – shanset për rezultat dhe përfundimi – UÇK-ja e Ali Ahmetit përbën grupacionin ushtarak më të suksesshëm në 35 vitet e fundit.

“Ti ke ndryshuar statusin e shtetit dhe statusin e kombit tënd, andaj titulli im gjeneral që vjen nga akademia është i pavlefshëm para teje. Ti je gjenerali i vetëm mes nesh”, i kishte thënë njëherë një ushtarak i huaj Ahmetit.

Dallimi thelbësor i Luftës së Gjeneratës së Katërt, të cilën e përbrendësoi UÇK-ja e Ahmetit, në raport me ushtritë te tjera, është se te grupet që provojnë këtë lloj taktike, fitorja arrihet vetëm nëse udhëheqësi ushtarak ka vetëdije të hollë politike, si arti i së mundshmes dhe shkencë e përshtatjes.

Të gjitha këto funksionojnë, me kushtin që vendosmëria e trupave nuk është në pikëpyetje për asnjë sekondë.

Ahmeti e kishte këtë me ushtarët e tij.

Kur e pyetëm për atë kohë, ai shpërtheu – ndër shpërthimet e rralla – se “murin kinez bre e shkatërronim”.

“S’kishte forcë që na ndalë”.

Ali Ahmeti gjatë luftës

Me përvojën e fituar në ilegalitet dhe më pas me UÇK-në Ahmeti më s’i kishte të qarta vetëm synimet, por edhe mjetet e metodën.

“Të jemi realistë, lufta në Maqedoni ishte për nga organizimi shumë lartë, shumë më lartë edhe se në Kosovë. Unë mora të gjithë ata që njihja, të gjithë ushtarët, secilin prej tyre, të gjithë të sprovuar, të gjithë të besuar”.

Sa për komandën, e thotë me shaka Ahmeti, ishte “sahat Zvicre”.

Ky “sahat Zvicre” ishte ndërtuar si sistem, pikërisht në Zvicër.

Nga 86-ta kur u lajmërua për azil politik atje, pas dy vjetësh ilegalitet të thellë, “Abazi” (një nga nofkat më të përdorura për Ali Ahmetin) ishte një nga hartuesit e një rrjeti që funksiononte në perfeksion.

“Është shumë e rëndësishëm që t’i kapësh pikat dhe ne i kapëm”, tregon Ahmeti.

“Kemi kontrolluar fillimisht aeroportet. Kush hyn? Kush del? UDBA asnjëherë s’mundi të na afrohej. Pastaj, të gjithë këta që vinin i sistemonim nëpër vende të ndryshme të Evropës”.

Për këtë sistem të sofistikuar funksionimi kishte bërë përshkrim edhe një ish-kreu i kësaj organizate serbe.

Ai tregonte se ndryshe nga hetimi i kroatëve që e kishin më lehtë të depërtonin, me shqiptarët ishte shumë më e vështirë, pothuajse e pamundur.

“Ne na mbronte gjuha”, shpjegon Ahmeti. “Veç kësaj, kishim një sens të hollë të diktimit të udbashëve”.

Gjithë kjo histori do t’i shërbente shumë në betejën finale në Maqedoni.

Të vetmin zinxhir që nuk e kishte, apo s’dinte në e kishte, pati të bëjë me pikëpyetjen nëse mbështetet nga ndonjë element amerikan.

Këtë dilemë e zgjidhi me një nënkuptim, pas një takimi me zyrtarë të CIA-s.

Dy javë debate në situata të ndryshme, dukej se s’çonin kund derisa në fund njëri prej tyre i tha “Amerika është kundër luftës. Ty zoti të ndihmoftë”.

Kaq kishte mjaftuar për Ahmetin.

Ali Ahmeti gjatë luftës

Politikanëve shqiptarë të Maqedonisë, të shpërfillur për kaq shumë kohë, pritja e gjatë ua kishte kalbur ëndrrën dhe humbur vetëbesimin se ata mund të luftojnë për të drejtat e tyre.

E bënin, për aq sa mundnin, nga postet formale që kishin, por kaq.

Për shkak të kësaj rrethane, këtij mosbesimi të madh se ka një formë tjetër, Ali Ahmeti pos ushtarëve të tij, të gjithë të tjerët i kishte ose kundër, ose të bindur se ndërmarrja e tij deluzive është një mision vetëvrasës.

Ndoshta nga ajo kohë i ka mbetur që të bëhet shumë “nevrik”, kur thotë diçka dhe të tjerët s’i besojnë.

Pos njerëzve, kundër kishte edhe kohën.

Por, për një periudhë shumë të shkurtër, i zgjedhur si Komandant Suprem dhe Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ai fitoi historinë dhe kohën e njerëzit i dëshmoi gabim.

Ali Ahmeti shpërfilli edhe paralajmërimet dhe kërcënimet ndërkombëtare. Ai luftoi.

Me një ekzekutim të paparë ushtarak Ahmeti triumfoi në beteja dhe kur UÇK-ja mori Haraçinën – një fshat fare afër aeroportit të Shkupit – bota zuri vesh dhe e pa se rebeli e ka njëmend.

NATO, BE dhe perëndimi dërguan emisarë.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, donin armëpushim.

Ai i priste në një seli të improvizuar nga një furrë buke.

“Aty mbaja takimet”, kujton Ahmeti duke qeshur, kur revokon se fiks vendi ku priste mysafirët “ishte tek ai hambari ku grihej buka”.

“Aty kishte shumë thika dhe të gjitha ishin shumë të gjata. Dukej pak si ndonjë set filmi nga ata të James Bond-it”.

Me sukseset në terren, Ahmeti shpejt u kthye nga rebeli i listës së zezë në bashkëpunëtorin e domosdoshëm për perëndimin.

Në gusht të 2001-së, gazetarja e Los Angeles Times, Alissa Rubin, tregonte se një nga diplomatët më të rëndësishëm amerikan, i kishte thënë se Ahmeti është “njeri me vizion”.

Vizion që e shpërfaqi shpesh edhe gjatë luftës.

Kur praktikisht ishte shqiptari më i pushtetshëm në Maqedoni, ai vetë kishte kërkuar të takohej me liderët politik shqiptarë – Arbër Xhaferin e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Imer Imerin e Partisë për Prosperitet Demokratik.

“Doja unitet”, na tha Ahmeti.

Takimi do zhvillohej në Shqipëri, në zyrën e kryeministrit Ilir Meta.

Para takimit, të frikësuar se si mund të shkonin gjërat, zyrtarët e shtetit shqiptar i flisnin Ahmetit se do të ishte mirë që takimi të shkonte i qetë e pa përplasje.

“Ata flisnin, unë as që i dëgjoja. Fillova të mendoj me vetën: sa e sa herë shqiptarët ia kanë bërë këtë vetës – janë përçarë e s’janë bashkuar edhe kur qëllimet i kanë pasur të njëjta”, tregonte Ahmeti përhumbjen e tij në pritej të takimit me Xhaferin dhe të tjerët.

“Po si s’janë marrë vesh shqiptarët me njeri tjetrin prandaj edhe kanë humbë. Përherë kanë humbë. Të gjitha periudhat historike vërdallë më silleshin…”, fliste Ahmeti me një ton melankolie që ngjante sikur u rikthye sërish atje.

Takimi filloi, por rezultoi më i shkurtër se pritja para tij.

E shkurtoi Ahmeti.

Derisa Meta nis me fjalime standarde të llojit se “shqiptarët duhet të jenë bashkë e të tjera”, Ahmeti e ndërpreu.

“U ktheva nga Arbri dhe i thash ‘xhaxh konsidero që ke një vëlla të vogël këtu në krah’. Ama e kam thënë me zemër”, derisa kishte vazhduar, “ajo ushtri atje, është e jotja, po aq sa e imja. Është e shqiptarëve”.

Takimi u mbyll. S’kishte çfarë thuhej më.

Më vonë do arrihej Marrëveshja e Prizrenit mes liderëve shqiptarë të Maqedonisë. Atë e pasoi ajo e Ohrit që tashmë është histori.

Por, paraprakisht, ka një episod që rrallë është përmendur.

Ali Ahmetit njëherë i ishte ofruar edhe ndarja e Maqedonisë. Ia prezantoi si projekt Arbër Xhaferi. Atij i kishte ardhur si propozim nga Ljubço Georgievski.

Projekti ofronte 5 për qind të territorit, derisa shqiptarët përbënin 30 për qind të popullsisë.

“Xhaxh kjo punë s’bëhet”, i tha.

Po, nëse vije puna deri tek ndarja?

“Si e mendon ti ndarjen”, e kishte pyetur Xhaferi.

“Atëherë, hipotetikisht nëse flasim, për shqiptarët fillon në Manastir, Krilevë, Veles, Shkup, Kumanovë”.

“S’e pranojnë kurrë”, i kishte thënë.

Mirë pra. “Le të vazhdojmë me Maqedoninë shtet unitar, me shqiptarët zot në shtëpi të vet, me të gjithat të drejtat të barabarta, me gjuhë, kulturë, traditë dhe në institucione”.

Megjithatë, Marrëveshja e Ohrit nuk po vinte pa një çmim të fundit për Ahmetin.

Kërkohej që, si kusht për ta nënshkruar, njeriu që nisi luftën ta lëshonte Maqedoninë. Edhe Kosovën.

“Donin që të largohesha e të kthehesha në Zvicër”.

Ia kishte kumtuar Piter Faith, në atë kohë i angazhuar për konfliktin në Maqedoni.

“Pasnesër do të vij prapë për një përgjigje, sepse kushtëzohet marrëveshja”, i kishte thënë.

I vendosur në një pozitë të vështirë, Ahmeti i premtoi që pas dy ditësh do t’i jepte një përgjigje, por jo ai vetë.

“Për komandantët e mi, vendosi unë. Ama për mua, vendosin komandantët e mi. Ata duhet të japin një përgjigje”, ishte formulimi i Ahmetit para kërkesës së prezantuar.

Komandantët e Ahmetit u revoltuan keq.

Kur ndërkombëtarët erdhën për ta marrë një përgjigje, ata gjetën të sharat dhe ofendimet e ushtarakëve të UÇK-së.

Të inatosur me absurdin, s’donin t’ia dinin kujt i flisnin.

Vërsulja pati efekt. Kërkesa për Ahmetin u reduktua.

“Më thanë të mos kem asnjë aktivitet, që të mos marrë pjesë në politikë dhe harxhimet për jetën i barteshin shtetit”.

Komandatët e tij e refuzuan edhe këtë kusht, ani pse kjo s’ishte kërkesë e papërballueshme për të.

“Edhe ashtu s’i kisha hyrë kësaj pune për parti politike”, thotë.

Krejt çfarë donte Ahmeti ishte një siguresë se do të jetësoheshin pikat e Ohrit dhe do realizoheshin të drejtat e shqiptarëve siç i paraqiste marrëveshja.

Për këtë kishte propozuar një memorandum katër vjeçar mes forcave kryesore shqiptare në Maqedoni: Të vepronin si një front i përbashkët shqiptar.

Me hatërmbetjet nga e kaluara, Arbër Xhaferi e Imer Imeri kur takoheshin në selinë e Ahmetit, dikur shtab UÇK-je, më vonë zyra e BDI-së, fjaloseshin shpesh dhe shumë.

U bë edhe këshilli koordinues, por s’shkonte.

“Më erdhën dy pleqtë (Xhaferi e Imeri) e më thanë se kaq ishte dhe bëje shtëpinë tënde”.

Ndërkombëtarët që dikur i kërkonin mospërfshirje të kurrfarshme në politikë, tani i ndihmonin për ta shkruar statutin e partisë.

Ali Ahmeti gjatë intervistës

Ali Ahmeti për herë të parë garoi në zgjedhjet parlamentar të vitit 2002. Fitoi 70 për qind të votës shqiptare dhe mbi 12 për qind të votës së përgjithshme elektorale.

Nga atëherë, BDI-ja i ka fituar gjithmonë zgjedhjet dhe Ahmeti replikoi suksesin e tij prej ushtaraku edhe në politikë.

Edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 8 majit BDI e Ali Ahmetit pritet të fitojë bindshëm.

Opozita shqiptare në Maqedoninë Veriore që përbëhet nga disa ish-deputetë të BDI-së, të larguar për pakënaqësi të ndarjes së posteve, është bërë bashkë me një parti periferike si Lëvizja Besa.

Kohërat kanë ndryshuar shumë. Derisa dikur shqiptarët flamurin e tyre mund ta mbanin vetëm ilegalisht, vriteshin se ishin shqiptarë dhe jetonin të getoizuar e në segregacion, aktualisht opozita shqiptare flet për rrugë, kanalizime, e mirëmbajtje të sistemit të mbeturinave.

Besa dhe grupi që Ahmeti – i njohur për gjetjen e emrave adekuat – e ka pagëzuar si “Zjarri” kanë gjetur edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti, siç bëri kundër Edi Ramës në Shqipëri, po koketon edhe me kundërshtarët politik të Ahmetit.

“Joo aspak”, u përgjigj Ahmeti kur e pyetëm a e ka shqetësim këtë lëvizje të Kurtit. “Kam hallin e Kosovës time unë, asgjë tjetër”.

Ahmeti, si gjithmonë, refuzon të komentojë negativisht liderët e Kosovës, kushdo qofshin ata.

Si shqiptari më i afërt i amerikanëve në Ballkan, Ahmeti pohon t’ia ketë treguar opinionet e tij Kurtit.

Sa për mbështetjen, ia ka dhënë qysh në ditën e parë të tij në pushtet.

Kur Kosovës iu vendosën masat shtrënguese, Kurtin askush s’e takonte dhe ministrat kosovarë s’merrnin dot as viza, Ahmeti i organizoi pritje dhe mbledhje qeverish për të larguar përshtypjen e izolimit për të.

“Amerikanët nuk na zhgënjejnë e as nuk na dëshpërojnë”, çon porosi me diagonale Ahmeti.

“Ata janë partnerë dhe ashtu sillen. Gjithmonë kërkojnë dialog dhe nuk japin urdhra. Kështu e kam pasur që 22 vjet, kështu vazhdon të jetë edhe tani”.

“Amerika nuk është kundër teje, nuk është kundër meje – nuk është kundër asnjë shqiptari – mos krijoni atë mendim asnjëherë”, thotë fjalinë e fundit për këtë çështje dhe s’dëshiron të komentojë më.

Amerikanët do t’i falënderojë për bashkëpunimin edhe me 28 janar, kur nga ndonjë qoshe salle, protagonisti kryesor i ditës si klandestin i papërmirësueshëm do të shoh tek zë pjesën qendrore të Kuvendit të Maqedonisë një shqiptar, pasi të jetë votuar nga deputetët Kryeministër i Maqedonisë.

Histori në bërje, dhe prapë bërësi i historisë i njëjti. Kontroversa e Ahmetit është e çuditshme. Shumë ndjekin historinë, historia ndjek atë.

Si historian pasionant, do të risjellë në mendje gjithë atë rrugëtim shqiptar, derisa procedura brenda parlamentit të vazhdojë.

Shën Stefani do të dali diku në sipërfaqe si mallkimi që s’ka kaluar ende, por Ahmeti po e fiton luftën edhe me këtë traktat që ia ka torturuar kujtimet.

Do ta mendojë edhe një fjali që ia ka lënë gjyshi e ky ia ka thënë shumë kujt.

“Asnjëherë mos mendo fillimin, por fundin. Është fundi që mbetet në kujtesë”.

Ali Ahmeti thotë ta ketë menduar këtë fund qysh në fillimet e tij.

Por, “një kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe një Kosovë shtet i pavarur” është një fund që s’do t’ia besonte askush.

Ali Ahmeti është personaliteti shqiptar në vitin 2023. Talat Xhaferi është kryeministri i Maqedonisë së Veriut në vitin 2024.

Related posts

Si e mendojnë meshkujt femrën ideale

Gazetamax.mk

Veset e çdo mëngjesi që po ju bëjnë të shtoni në peshë pa e kuptuar

Gazetamax.mk

Netflixi do t’i anulojë llogaritë e konsumatorëve që nuk kanë qenë aktiv për më tepër se një vit

Gazetamax.mk