GazetaMax
Lajme

Ali Ahmeti përkujton Tahir Sinanin dhe dëshmorët e rënë në Tanushë: “Ata ranë që ne të jetojmë me dinjitet”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar figurën emblematike të Komandant Tahir Sinanit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në 24-vjetorin e rënies së tyre heroike në Tanushë të Gostivarit.

“Tahir Sinani nuk ishte thjesht komandant, por urtësia dhe guximi në të njëjtën kohë. Ai ishte aty ku vendosej fati i betejave, gjithmonë në vijën e parë, gjithmonë përpara. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij nuk kërkuan asgjë për vete – dhanë gjithçka për ne, për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë,” shkruan Ali Ahmeti.

Në përkujtesën e tij, lideri i BDI-së thekson se më 29 korrik 2001, në Tanushë ranë pesë figura të shquara të rezistencës shqiptare: Tahir Sinani, Naser Ademi, Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Hisë Fazliu – emra që tashmë përfaqësojnë një ideal të përbashkët: lirinë e fituar me gjak të pastër dhe sakrificë sublime.

“Tanusha është më shumë se një vend i luftës – është një simbol i përjetësisë. Është një kujtim i gjallë i betejës sonë për barazi, për të drejta, për ekzistencë me dinjitet në vendin tonë,” shkruan më tej Ahmeti, duke theksuar se lufta e vitit 2001 nuk ishte për pushtet, por për barazi dhe të drejta të shqiptarëve në Maqedoni.

Ai u shpreh se “detyrimi ynë është i përjetshëm – të mbrojmë vlerat për të cilat ata ranë, të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, të barabartë, ku çdo qytetar e ndjen veten të respektuar dhe përfaqësuar.”

Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti ka shprehur mirënjohje të thellë dhe nderim për të gjithë dëshmorët e kombit:

“Lavdi e përjetshme për Komandant Tahir Sinanin dhe shokët e tij të rënë në Tanushë.
Lavdi për të gjithë dëshmorët tanë. Ata ranë që ne të jetojmë me dinjitet.”

Related posts

Pasholli: FE do të mbrojë statusin juridik të inspektoratit

Gazeta Max

Pastrohen 60 m kub mbetje tek deponia ilegale në Tophanë

Gazeta Max

Kostovski për incidentin në kufi: Sulmi ndaj një polici është sulm ndaj shtetit

Gazeta Max