GazetaMax
Lajme

Alternativa: Amendament kushtetues për luftimin e korrupsionit

Shkup, 29 Tetor – Alternativa ka për qëllimi që të krijojë mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin ligjëdhënës, ekzekutiv dhe në pushtetin lokal, të cilët, sic tha Kryetari i kësaj partie, Afrim Gashi në një konferencë për media, duke abuzuar me pushtetine tyre, në mënyrë të paligjshme janë pasuruar në mënyrë marramendëse.

Kjo është arsyeja që AlternAtivA sot del me propozimin e saj për ndryshimet kushtetuese, duke qenë e bindur se ky propozim do t’i bashkojë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një amendament kushtetues që do ta afrojë Maqedoninë e Veriut edhe më shumë me Bashkimin Europian – thonë nga AAA-ja.

Propozimi i Alternativës është ky:

Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona te emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike, mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme.

Arsyetimi:

Me këtë amendament plotësohet neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Amendamenti do të jetë paragrafi nr. 5 i këtij neni, i cili do të vijojë pas paragrafit nr. 4, në cilin parashikohet se: “Ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç përjashtimit, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët”. 

Amendamenti i propozuar do të jetë bazë e cila do të krijojë mundësi për ndryshime dhe plotësime me nen të ri nr. 112-a në Kodin Penal, që aty të parashikohet dispozitë me të cilën veprat eventuale penale nga personat e zgjedhur ose te emëruar, të cilat janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, asnjëherë të mos mund të vjetrohen. Kjo nënkupton edhe zgjerimin e përfshirjes së konfiskimit të pasurisë së arritur në mënyrë të paligjshme edhe nëse është regjistruar në emër të personave të tretë. 

Me këtë amendament do të krijohet bazë e mirë kushtetuese për revidimin e të gjitha procedurave gjyqësore për persona që tash ose më herët janë zgjedhur ose emëruar, e të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetrimit eventual të përgjegjësisë penale.

Në të vërtetë, ky amendament do të jetë në frymën e kërkesave të qytetarëve për të pasur sundim të së drejtës, siguri juridike dhe barazi para ligjit dhe para procedurave gjyqësore të të gjithë personave të emëruar ose të zgjedhur, të cilët me propozim të partive politike, që kanë pasur ose aktualisht kanë funksione në pushtetit ligjëdhënës, ekzekutiv dhe lokal, kanë abuzuar ose abuzojnë me ndikimin e tyre dhe kanë ushtruar ose ushtrojnë presion për prolongimin e procedurave kundër tyre derisa ato të vjetrohen.

Alternativa mendon se lufta kundër korrupsionit dhe nevoja për çrrënjosjen e veseve jashtëzakonisht të liga për korrupsion politik dhe evitim të drejtësisë me përpjekje për ndikim në gjyqësor, janë kancer i shoqërisë, që edhe politikën e shndërrojnë në profesionin më të urryer.

Related posts

Presidenti Biden në Japoni për takimin e nivelit të lartë të G7-ës

Gazetamax.mk

Shaqiri – Nedelkov: MASH do të vazhdojë me modernizimin e sistemit arsimor

Gazetamax.mk

Murtezani: Nuk mund të zgjerohet shumica duke shkelur mbi integritetin e një partie politike e cila ishte kyçe për të shpëtuar këtë Qeveri

Gazetamax.mk