Arkin Jahiji: Bervenica ka nevoj për energji të re

Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka përcjellë një mesazh për qytetarët e komunës, duke theksuar nevojën për energji të re, më shumë afërsi mes njerëzve dhe një qasje që do ta çojë Bërvenicën përpara.

Në një postim në profilin e tij, Jahiji shprehet optimist për të ardhmen e komunës dhe paralajmëron se në periudhën në vijim do të prezantojë ide dhe iniciativa konkrete për zhvillimin e Bërvenicës.

“Bërvenica ka nevojë për energji të re, për më shumë afërsi mes njerëzve dhe për një frymë që na çon përpara”, shkruan Jahiji.

Ai vlerëson se Bërvenica po hyn në një kapitull të ri, ku energjia, vullneti i mirë dhe angazhimi i përbashkët mund të sjellin ndryshime pozitive në të gjitha vendbanimet e komunës.

Sipas tij, fokusi duhet të jetë te çështjet konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Në periudhën që vjen, do të ndajmë me ju gjëra konkrete, punë që mund të bëjmë dhe zhvillime që sjellin më shumë të mira për Bërvenicën. Gjëra që prekin jetën e përditshme të secilit dhe që ia vlen t’i ndërtojmë së bashku”, thekson kandidati i BDI-së.

Jahiji u bën thirrje qytetarëve që të shohin me besim drejt së ardhmes dhe të përqendrohen në atë që i bashkon, duke theksuar se zhvillimi i komunës është përgjegjësi e përbashkët.

“Bërvenica është e të gjithëve. E ardhmja e saj është përgjegjësi e përbashkët!”, përfundon Jahiji.