GazetaMax
Lajme

ARM modernizohet me ndihmën e SHBA, 78 milionë dollarë për pajisje dhe avancim të kapaciteteve

Shkup, 1 Tetor – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë Maqedonisë së Veriut 78 milionë dollarë për pajisje dhe avancim të kapaciteteve të Armatës, kumtoi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

“E morëm lajmin për mbështetje aleate prej gjithsej 78 milionë dollarë të cilat do të destinohen në projektet e nevojshme që t’i arrijmë qëllimet e NATO-s të shkathtësive dhe do të na mundësojnë që në mënyrë edhe më intensive t’i zhvillojmë kapacitetet – të modernizohemi, të pajisemi, të kemi mbrojtje të fuqishme kibernetike, Armatë moderne dhe të avancuar. Partneriteti mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së nuk do të thotë vetëm mbështetje politike, nënkupton edhe bashkëpunim dhe mbështetje për ndërtimin dhe avancimin e shkathtësive dhe kapaciteteve të Armatës tonë. Në 30 vitet e kaluara SHBA është partneri ynë strategjik dhe aleat në realizimin e këtyre qëllimeve”, tha Petrovska.

Ministrja e falënderoi SHBA-në për mbështetjen.

Përndryshe, gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e kreut shtetëror reaguan ndaj idesë së shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-nënkolonel Vasko Gjurçinovski, për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Nga Ministria e Mbrojtjes thanë se Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është tërësisht armatë e profesionalizuar dhe deri më tani nuk ka kurrfarë plane, as procese konsultative për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Vendimi për ushtri profesionale do të vazhdojë të zbatohet, njëkohësisht duke i plotësuar të gjitha obligimet që dalin nga anëtarësimi në NATO.

Nga Kabineti i Komandatit Suprem të Forcave të Armatosura, gjegjësisht presidentit Stevo Pendarovski, theksuan se çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk ka qenë e hapur në të kaluarën, por nuk ka mundësi që të hapet edhe në të ardhmen.

“Shfuqizimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 2006 dhe profesionalizimi i plotë i Armatës është vendim i cili është miratuar si pjesë e procesit të transformimit të Armatës, sipas analizave dhe vlerësimeve të resurseve dhe nevojave të vendit, në koordinim dhe konsultim të plotë me NATO-n”, thanë nga Presidenca.

Related posts

Ngjarje solemne dhe ekspozitë në nder të viktimave nga Lufta e Dytë Botërore dhe lufta në Ukrainë

Gazetamax.mk

Snopçe: Bullgaria nuk është shkaku i vërtetë i mosmarrjes së datës

Gazetamax.mk

Buka dhe qumështi mund të shtrenjtohen sërish

Gazetamax.mk