Arrestohet Dragan J. Vuçiçeviq në Beograd, dyshohet për shkaktim paniku dhe pengim të drejtësisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka ndaluar Dragan J. Vuçiçeviqin, me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të shkaktimit të panikut dhe çrregullimit të rendit publik në vazhdimësi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është realizuar përmes Stacionit Policor në Vozhdovac. I dyshuari pritet të paraqitet më 26 nëntor para prokurorit publik në Beograd, ku do të merret në pyetje në kuadër të procedurës penale.

Portali serb “Nova.rs” raportoi se Vuçiçeviq dyshohet gjithashtu për pengim të drejtësisë, krahas veprave të tjera për të cilat është ndaluar.

Ndërkaq, sipas portalit “Informer”, policia e ka ndaluar atë rreth 50 metra larg ndërtesës ku punon. Pas ndalimit, ai është transportuar me automjet policie në Stacionin Policor në Vozhdovac.

Lajmi për ndalimin e tij është bërë i ditur edhe në Kuvendin e Serbisë nga Aleksandar Vuçiq, shef i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia fiton”.

Burimi:botasot.info