Autoritetet e Republikës Dominikane, në bashkëpunim me INTERPOL-in në Santo Domingo, kanë arrestuar shtetasin shqiptar Soni Pepa, 40 vjeç, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
Arrestimi u bë të mërkurën, më 3 shtator, në zonën e Distriktit Kombëtar.
Sipas burimeve zyrtare, Pepa ishte në hetim për përfshirje në një ndër ngarkesat më të mëdha të kokainës të kapura nga autoritetet evropiane në vitet e fundit.
Më konkretisht, ai dyshohet se ka marrë pjesë në trafikun e një sasie prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë janë sekuestruar në Roterdam, Holandë, gjatë datave 7 dhe 8 nëntor 2020. Gjithashtu, dyshohet se ka qenë financues i blerjes së një sasie shtesë prej 10 kilogramësh në të njëjtin qytet.
Hetuesit mendojnë se Pepa ka qenë pjesë aktive e një rrjeti të organizuar kriminal që operonte në disa vende të Amerikës së Jugut dhe Europës, me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Ngarkesa e drogës dyshohet se ka pasur si pikënisje portin Villeta në Paraguai dhe destinacion përfundimtar portin e Antverpit në Belgjikë.
Në momentin e ndalimit, autoritetet dominikane i kanë sekuestruar një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona të koduar dhe një shumë të konsiderueshme parash në dorë.
Aktualisht, 40-vjeçari ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Imigracionit në Republikën Dominikane, ndërsa autoritetet janë duke punuar për ekstradimin e tij në Shqipëri në koordinim me INTERPOL-in lokal.
Hetimet janë ende në vijim për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe për të zbardhur tërësisht aktivitetin e rrjetit kriminal.