GazetaMax
Lajme

ASH me reagim ndaj Mickoskit: Hedhim poshtë çdo kushtëzim i cili i luhat themelet e shtetit

Shkup, 22 Tetor – Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të lideri të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili tha se nëse flitet për flitet për normën 20 përqind, duhet të flitet edhe për normat “badenter” dhe “balancer”. Partia shqiptare tha se, hedh poshtë  çdo kushtëzim i cili, siç thuhet në reagim, i luhat themelet e shtetit tonë, të ndërtuar mbi parimet e demokracisë konsociative.

Kushtëzimet e tilla ASH i konsideron “si politikë ditore për përdorim brendapartiak, për të ruajtur karrigen përballë sfidave që janë përtej Maqedonisë së Veriut dhe Evropës”.

“Formulimi “gjuha që e flasin 20% e popullsisë” nuk ka të bëjë me politika ditore, por me një definicion fyes të gjuhës shqipe që urgjentisht duhet të hiqet. Kjo do të rrisë kohezionin e brendshëm shoqëror dhe ndëretnik dhe do të bëjë Maqedoninë e Veriut edhe më të mirë, edhe më të fortë dhe vend që përqafon vlerat evropiane të diversitetit gjuhësor dhe kulturor.  Për ne, është njësoj fyese kur gjuhës së bashkëqytetarëve tonë i referohen si gjuha maqedonasoveriore apo sllavomaqedone, e ndonjëherë edhe ndryshe. Andaj, problemin e 20 përqindëshit z. Mickoski dhe të tjerët duhet që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë drejtë, duke u nisur nga vetëvetja dhe assesi të ngatërrojnë opinioni duke krijuar amalgame me Balanserin, i cili është mjet planifikimi për punësime në sektorin publik për të arritur obligimin kushtetues për përfaqësim adekuat të bashkësive”, thanë nga ASH.

Në lidhje me badenterin, nga kjo parti u shprehën se, është standard evropian për ruajtje të paqes dhe stabilitetit që u vendos në republikat e ish bllokut komunisit pas tragjedive të mëdha siç ishin luftërat në ish Jugosllavi.

“Ky mekanizëm mbanë emrin e ideatorit të tij, Robert Badenter, ish ministri i drejtësisë dhe ish kryetari i gjykatës kushtetuese të Francës, apo fanari i iluminizmit dhe demokracisë evropiane.  Çdo shkelje e këtij mekanizmi të demokracisë konsociative do të ishte retrograd dhe do të sillte pasoja që askush nga ne nuk do t’i dëshironte. Nëse ky votim i dyfishtë për dikë është “problematik”, duhet të kihet parasysh se shumë shtete të ngjashme me tonin e kanë rregulluar këtë çështje me parlament dydhomësh, gjë që do duhej të vendosej në tavolinë nëse hapet një debat i tillë në të ardhmën”, thuhet në reagimin e ASH.

Ndryshe, Mickoski sot duke komentuar deklaratën e djeshme të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari, i cili tha se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese vetëm nëse pranohet kushti për ndryshimin e definimin të 20%, që i referohet gjuhës shqipe në Kushtetutë, tha se, nëse flitet për normën 20 përqind, duhet të hiqen edhe “badenteri” dhe “balanceri”.

Related posts

Çfarë thotë Stejt Departmenti për liritë fetare në Maqedoni? Flet për BFI-në dhe Kishën Ortodokse

Gazeta Max

Besimi: Masa të targetuara dhe konsolidim fiskal si përgjigje ndaj inflacionit dhe rrezikut të stagflacionit

Gazeta Max

UNSHM apelon për zgjidhjen e problemit me mungesën e librave

Gazeta Max