Aty ku kultura, historia dhe shpirti shqiptar bëhen një

Ndalesa jonë e radhës ishte në Pojan, pranë Parkut Arkeologjik të Apollonisë, në kompleksin e agroturizmit “Rozafa Apollonia”, pronë e Gjergj Lucës, djalit të artistit të madh Ndrekë Luca.Që në hyrje, ky kompleks  kulture të pushtonte me një bukuri të veçantë. Në objektin e quajtur “Tempulli i Shpirtit”, na pritën skulpturat e Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës, me libra në duar dhe me buzëqeshje vëllazërore. Për një çast m’u duk sikur ata dy kolosë të kulturës shqiptare po na pëshpëritnin me një ze: «Ta duam dhe ta çmojmë këtë atdhe!» Unë mendova se shtrati i lumturisë nuk qëndron  i heshtur mbi lëndinat e shpirtit por mbi dashurinë qe ke me ndërtua  dhe me lenë pas një  vepër të madhe. Aty m’u kujtua edhe thënia e Hilë  Mosit: «Fanatizëm në paç për fe, atdhetar i drejtë nuk je!» Brenda këtij tempulli, fotografitë, portretet, skulpturat dhe librat krijonin një atmosferë të rrallë përkushtimi ndaj historisë dhe kulturës sonë. Vëmendjen ma tërhoqën veçanërisht skulptura e Fan Nolit dhe biblioteka e pasur me botime françeskane, libra mbi Islamin dhe vepra që flisnin për Shqipërinë, Ilirinë e Dardaninë. Ishte një hapësirë ku historia, arti dhe besimi dukej se bashkëjetonin në harmoni. Duke soditur gjithë atë pasuri shpirtërore, mendova se vepra të tilla nuk ndërtohen vetëm me mjete materiale, por mbi të gjitha me dashuri, përkushtim dhe dëshirën për t’u lënë brezave diçka që nuk e tret koha.

Edhe dreka ishte e këndshme. Mikpritja dhe shija e veçantë e peshkut e plotësuan bukur atë ditë të paharruar. Pas udhëtimit nga Pogradeci deri në Apolloni, ne të katërt  Ibrahim Avdyli ime shoqe Fetaneti dhe ime motër Sania e ndienim se kishim zbuluar një tjetër faqe të bukur të Shqipërisë.

Para se të largohesha, në librin e vizitorëve lashë këto fjalë :«Ky Tempull i Shpirtit le të mbijetojë aq gjatë sa të ketë rreze dielli mbi këtë tokë!»

— Neki Lulaj

U largova me një ndjenjë të veçantë. Kisha vizituar një kompleks agroturistik,  dhe kulturor por në të vërtetë kisha prekur diçka më shumë se kaq: një përpjekje për ta ruajtur kujtesën, për ta nderuar kulturën dhe për ta mbajtur gjallë dashurinë për atdheun. Është e vërtetë se disa vende i viziton dhe i lë pas, ndërsa disa të tjera i merr me vete, sepse mbeten të strehuara në kujtesë. Për mua, “Tempulli i Shpirtit” në Apolloni do të jetë një kujtim i tillë, një faqe e bukur e atij udhëtimi që koha nuk do ta zbehë lehtë.

Burimi: Botasot