GazetaMax
Lajme

Autobusët të mbushur plotë, vazhdon migrimi drejt Perëndimit

Shkup, 17 Dhjetor – Çanta e shkollës e Sarës 8 vjeçare u bë pjesë e bagazhit në autobusin nga Shkupi drejt Italisë. Bashkë me nënën dhe vëllain e saj ajo i tha lamtumirë vendlindjes për të nisur një jetë të re në vend të huaj por pranë babait të saj që tashmë kishte fituar të drejtën e bashkimit familjar.

“Prej cilit vend je? Prej Batincës. E ku po shkon? Në Itali. Te kush? Te babi im. E le shkollën për të shku te babi? Po mërzitem shumë që po shkoj në Itali, u përshëndeta me shokët e klasës dhe mësueset. Çka të tha mësuesja kur u nise? Më tha të mbërish mirë. Dëshiroj këtu të jetoj ama më mirë është atje me babin se të ndarë”, tha një fëmijë.

Në stacionin e autobusëve në Shkup ishte I madh numri i udhëtarëve që prisnin të nisen drejt Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Sllovenisë e Kroacisë e që paraprakisht kishin  marrë vizë pune. Familjarët që i shoqëronin e përjetonin shumë keq këtë ndarje.

“Shteti nuk na bën, partitë shqiptare aq po mendojnë për shqiptarët, mendojnë vetëm për veti, qoftë ato ose pala maqedonase. Ikin rinia, po do të ikin, çfarë të bëjnë, 200 euro rrogë këtu nuk i dalin as për cigare”, u shpreh një qytetar.

“Sa vjeçar je? 20. Kaq i ri ke nis të shkosh rrugëve të kurbetit, pse, çka të ka detyru? Idarja, për nji jetë më të mirë. Jeta më e mirë se këtu po”, deklaroi një qytetar.

“Po e përcjell djalin për në Gjermani.  A po e mbështesni në rrugën që ka vendos, me dal jashtë shtetit? Jo, por nuk ka tjetër rrugëdalje, patjetër duhet me shku, këtu kushtet e dini se si janë, u detyru patjetër me shku. Si është ajo ndjenja e babës me u përshëndet me fëmijën e vet? Nuk e di si ta përshkruaj, keq, rëndë është po çka më bë, kurbeti siç i thonë, është i zi”, shtoi një qytetar tjetër.

Brenda autobusit kishte plot emocione e kujtime që do të mbeten të paharruara. Përveç atyre që po shpërnguleshin kishte edhe të tjerë që shkonin në vizitë të fëmijëve të tyre.

“Një rrogë këtu dhe atje ka shumë dallim të madhë. Standardi në Maqedoni..ka tre javë që jam këtu ka shumë dallim, ka rritje të çdo gjëje, të ushqimit, nafta, çdo gjë që më ka ra në sy ka shumë dallim. A ke nis procedurën e dokumenteve? Po, e kam fillu procedurën e dokumenteve, kam vizë pune njivjeçare, për këtë arsye po iki atje, po filloj punën”, tha një qytetar.

“Qysh është për babën me i pas fmit larg vetes? Më keq s’ka. Janë shku për shkak të skamjes. Zonjë, a jeni mërzit për nipat e mbesat? Si jo, si nuk jemi mërzit. Më mirë le të jetë larg por le të jetë mirë? Më mirë është të jenë afër, nëse ka punë këtu e paguajnë mirë me rroga s’ka nevojë me shku atje”, u shprehën një qytetar dhe qytetare.

Islam Dehari tashmë 22 vjet kryen profesionin e shoferit të autobusit. Tre ose katër herë në muaj udhëton drejt shteteve Perëndimore me autobusin përplot udhëtarë.

“Ka emocione, veçanërisht kur i përcjellin familjarët është emocionuese shumë kështu që ne jemi mësu të shohim lot çdo ditë, edhe gëzime ka edhe lot edhe mallëngjime, të gjitha I ke këtu. Autobusët vazhdimisht janë kështu, plot. Unë mendoj se në shumicën e rasteve janë plot”, theksoi Islam Dehari, shofer I autobusit./

Related posts

Tre anëtarë të Këshillit gjyqësor do të japin deklaratë solemne në Kuvend

Gazetamax.mk

Muhamed Zekiri assesi të shërohet, përsëri mungon në gjykim

Gazetamax.mk

Qytetarët e Maqedonisë në celular bisedojnë mesatarisht 4 orë në muaj

Gazetamax.mk