GazetaMax
Lajme

Bashkimi Evropian reagon për suspendimin e kryetares së Gjykatës në Mitrovicë

BE ka një kërkesë për sistemin gjyqësor të Kosovës.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të ulen tensionet dhe të respektohet marrëveshja për integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, por edhe procedurat e rregullave disiplinore të Kosovës.
Ky reagim i BE-së vjen pasi javën e kaluar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stefanoviq.
Kjo e fundit, më 22 mars, së bashku me përfaqësues tjerë të serbëve të Kosovës, mori pjesë në një mbledhje në Beograd, të thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, deklaroi për gazetarët se duhet të respektohen procedurat, por po ashtu të kuptohet rëndësia e integrimit të personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës.
“Kemi marrë në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e përkohshëm të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Personeli serb i Kosovës ishte integruar në sistemin ligjor të Kosovës më 2017 përmes një marrëveshjeje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky integrim kishte mundësuar qasje në sistemin ligjor të Kosovës dhe sistemin e drejtësisë për komunitetin serb”, tha ai.
Stano shtoi se “personeli gjyqësor i integruar kryen detyra të rëndësishme nga të cilat përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetet joshumicë në Kosovë”.
“BE-ja pret që autoritetet kompetente të Kosovës, por edhe të Serbisë, të respektojnë të gjitha pjesët e kësaj marrëveshje”, tha Stano.
“Procedurat disiplinore nuk janë pjesë e marrëveshjes. BE beson se autoritetet kompetente do të ndjekin procesin dhe procedurën e duhur lidhur me shqyrtimin e një rasti të tillë disiplinor. Në të njëjtën kohë, presim nga personeli i sistemit ligjor të Kosovës të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës”, theksoi ai.
Zëdhënësi i BE-së ashtu ka përsëritur edhe thirrjen e bllokut evropian për përmbajtje nga retorika nxitëse.
“BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që të veprojnë më përmbajtje dhe të përmbahen nga retorika apo veprimet të cilat mund të nxisin tensione. Presim nga të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për një atmosferë të përshtatshme për normalizimin e raporteve të tyre”, tha Stano.
Pas suspendimit të Liljana Stefanoviq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – pas një proteste të mbajtur më 25 mars, tha se kjo parti dhe stafi gjyqësor serb, do të pezullojnë punën deri në kthimin në punë të Stefanoviqit.
Pas suspendimit të Stefanoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, akuzoi kryeministrin i Kosovës, Albin Kurtin, për shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, dhe tha se Marrëveshja e Brukselit – e arritur më 2013 – nuk ekziston më.
Por, këto deklarata, në BE nuk kanë dashur t’i komentojnë. Ndërkaq, Kurti, ka thënë se sistemi gjyqësor i Kosovës është i pavarur nga Qeveria. Në Bruksel kanë frikë se zhvillimet e fundit, krahas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar votimin në Kosovë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, mund të kenë ndikim negativ edhe në procesin e dialogut.
Në bllokun evropian e pranojnë se pa mbaruar zgjedhjet serbe, të caktuara për 3 prill, nuk presin ndonjë zhvillim konkret në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Related posts

Gabime trashanike në librin e historisë maqedonisht! Çfarë po mësojnë nxënësit ? (foto)

Gazetamax.mk

Petrovska: Realiteti i sigurisë në Evropë bën thirrje për siguri të përforcuar kolektive

Gazetamax.mk

Alarme për mjete të vendosura eksplozive në nëntë shkolla në Shkup

Gazetamax.mk