Sot në orën 18:00, në Muzeun e Artit Bashkëkohor, kandidati për Çair, Bujar Osmani, dhe arkitekti botërisht i njohur Michel Rojkind do të prezantojnë “Vizionin Çair 2040”, një plan gjithëpërfshirës, guximtar dhe transformues për zhvillimin e Çairit.
Për herë të parë në histori, Çairi merr një vizion të qartë dhe afatgjatë, një strategji dhe një plan zhvillimi që vendos në radhë të parë nevojat e qytetarëve. Plani parashikon infrastrukturë moderne të komunikacionit, sheshe të reja, parqe të gjelbra, hapësira publike dhe ambiente të sigurta për jetesë, lëvizje dhe shoqërim. Çairi fiton një të ardhme që i takon.
Vizionin e ka përpunuar në bashkëpunim me njërin prej arkitektëve më të njohur në botë, vizionarin meksikan Michel Rojkind dhe ekipin e tij, përvoja e të cilëve me transformime urbane anembanë botës tani po ndërtohet në zemrën e komunës sonë.
Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për Çairin, me një plan që jo vetëm i zgjidh problemet kyçe, por ia kthen krenarinë mahallës sonë dhe i jep vlerë dhe të ardhme të re.
Sot nisim bashkë ta ëndërrojmë dhe ta ndërtojmë Çairin e së ardhmes.