GazetaMax
LAJME

BE pranon të ndihmojë për zgjidhje të kontestit, Shkupi me pritje se kjo është e mundur për presidencën franceze

Shkup, 6 maj – Ka një marrëveshje mes anëtarëve të BE-së që duhet të ndihmojnë në gjetjen e një rruge dhe zgjidhje për kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, sepse procesi i zgjerimit po bëhet gjithnjë e më shumë çështje sigurie, konsideron ambasadorja gjermane Anke Holshtajn. Në Shkup, optimizëm i moderuar për një hap përpara në procesin e inkuadrimit në BE gjatë presidencës franceze me BE-në.

“Rol udhëheqës në BE për momentin mban Franca, e cila kryeson me Bashkimin Evropian.  Por ne të gjithë pajtohemi se duhet të ndihmojmë për të gjetur një mënyrë dhe një zgjidhje që do të jetë e mirë për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, theksoi Holshtajn në përgjigje të një pyetjeje gazetare nëse Gjermania ka ndonjë plan për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes.

Sipas saj, politika e zgjerimit të BE-së sot më shumë se kurrë është politikë sigurie dhe ky fakt duhet të nënkuptojë përgjegjësi për të gjithë në momentet kur duhet të merren vendime.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me Holshtajn dje vizitoi kompaninë gjermane “Markart” në  Karaslari të Poshtëm, Veles, i pyetur nëse është optimist se kontesti me Bullgarinë mund të zgjidhet deri në qershor, tha se është optimist racional, sepse ai beson në arritjen e një qëllimi të caktuar dhe punon për ta arritur atë qëllim. Ai përsëriti se nuk është i lidhur me data dhe se na duhet një zgjidhje e shpejtë por jo e nxituar.

Lidhur me deklaratën e presidentit Stevo Pendarovski se qëndrimi i liderit të VMRO-DPMNE-së është i saktë, Hristijan Mickoski se nuk ka ndryshim të Kushtetutës, nëse nuk marrin garanci nga Sofja, tha se ajo deklarata është pothuajse identike me deklaratën e tij.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në fjalimin e tij në konferencën ndërkombëtare “Rrjedhat strategjike 2022” me temën Evropa pas zgjedhjeve presidenciale franceze, tha se presim një përparim në procesin tonë të anëtarësimit në BE gjatë presidencës franceze me BE-në.

Sipas tij, është koha e fundit që BE-ja të mbajë premtimin ndaj vendit dhe të qëndrojë e besueshme dhe të riafirmojë rolin e saj si një aktor global duke përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe duke pranuar dëmin e ruajtjes së status quo-së, duke theksuar se Franca ka një shans të madh për të ringjallur procesin e zgjerimit duke siguruar vendimin për fillimin e bisedimeve inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me dy vendet.

Edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, duke mbajtur fjalim në  Konferencën e 18-të të Nismës Adriatiko-Joniane në Tiranë, tha se është e nevojshme që Bashkimi Evropian të caktojë datën për konferencën e parë ndërqeveritare, e cila do të shënonte fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe se është më mirë të bëhet kjo gjatë presidencës franceze me BE-në.

Historiani bullgar Stefan Deçev, ndërkohë, paralajmëroi formimin e një komisioni të përbashkët bullgaro-maqedonas, “Komisioni i Historisë në hije”, i cili do të punojë paralelisht me Komisionin ekzistues për Çështjet Historike dhe Arsimore dhe që duhet t’i hapë rrugën procesit të negociatave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Related posts

Kyçyk: Bullgaria po bëhet vend problematik i cili e pengon zhvillimin e BE-së

e-max

Në vendkalimin kufitar Bogorodicë pritet rreth 30 minuta

e-max

Kovaçevski: Lista për sanksione nuk ishte temë e takimit me këshilltarin Shole

e-max