Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër buxhetin e ri të Qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar atë si buxhet të vjedhjes dhe shpërdorimit të parasë publike.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se java e fundit është karakterizuar nga thellimi i krizës ekonomike dhe politike në Shqipëri.
Ai pretendoi se rreth 10 miliardë euro nga taksat dhe kontributet e qytetarëve nuk po kthehen në shërbime dhe mirëqenie për ta, por po shpërdorohen.
Sipas Berishës, situata ekonomike e familjeve shqiptare po rëndohet edhe më shumë nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.
“Ndërkohë muajin e kaluar, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shumë se në hapësirën e BE-së. Ndërkohë, EUROSTAT informon se të ardhurat e disponueshme për familjet shqiptare janë më të pakëtat në rajon. Informon se mbi 30 për qind e shqiptarëve kanë probleme me kafshatën e gojës”, deklaroi Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu ndarjen e mjeteve buxhetore për administratën qeveritare, duke thënë se 930 milionë euro janë paraparë për shpenzime administrative, përfshirë telefona, zyra, vetura dhe aktivitete të tjera.
Berisha vlerësoi se këto mjete mund të përdoreshin për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe për vendosjen e minimumit jetik.
“Me 930 milionë euro, të dashur qytetarë dhe qytetare, mund të rriteshin me 60 për qind rrogat e ulëta, me 40 për qind rrogat e mesme, mund të vendosej minimumi jetik për shqiptarët dhe natyrisht mund të dyfishohej jo rritja e pensioneve, siç thotë Edi Rama, por indeksimi i tyre në përputhje me rritjen e çmimeve”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së bëri të ditur se partia e tij ka paraqitur dhe do të vazhdojë të paraqesë propozime për mbështetjen ekonomike të qytetarëve, ndonëse, sipas tij, ato nuk po pranohen nga shumica qeverisëse.
Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen për largimin e qeverisë së Edi Ramës, duke e akuzuar atë për keqmenaxhim dhe grabitje të pasurive publike.
Burimi:botasot.info
