Në prag të zgjedhjeve lokale, VLEN ka emëruar Besim Kokën si Shef të Shtabit Zgjedhor për komunën e Çairit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Koka, i cili e cilësoi këtë detyrë si një nder të madh dhe një përgjegjësi të veçantë.
“Të dashur miq, me nder dhe përgjegjësi të madhe dua t’ju njoftoj se jam emëruar Shef Shtabi i VLEN-it për Çairin në kuadër të zgjedhjeve lokale që na presin. Ky është një privilegj, por mbi të gjitha një detyrim për të punuar pa u lodhur për të mirën e qytetarëve,” – shkruan ai.
Sipas Kokës, kjo fushatë nuk është vetëm një garë elektorale, por edhe një mundësi për të qenë pranë qytetarëve. “Kjo fushatë është një mundësi për të takuar njerëz të jashtëzakonshëm, për të dëgjuar dhe mësuar, për të ndarë ide dhe për të ndërtuar së bashku,” – thekson ai.
Ai shprehet se do të punojë ngushtë me një ekip të përkushtuar, duke garantuar transparencë, energji dhe vizion të qartë.
“Së bashku me ekipin tonë të përkushtuar, do të punojmë me transparencë, energji dhe vizion të qartë, duke dëgjuar çdo qytetar dhe duke ofruar zgjidhje për sfidat e Çairit.”
Koka thekson bindjen e tij të fortë se me unitet, vullnet dhe punë të ndershme, fitorja është e arritshme.
“Besoj fort se, me unitet, vullnet dhe punë të ndershme, do të arrijmë fitoren në zgjedhjet lokale dhe do t’i sjellim Çairit zhvillimin që meriton.”
Ai e mbyll mesazhin e tij me një thirrje për bashkim dhe energji pozitive:
“Së bashku kemi bërë shumë, por së bashku do të bëjmë edhe më shumë. Faleminderit për besimin, faleminderit për durimin dhe faleminderit që jeni zemra e këtij ndryshimi që po e shënon një faqe të re në historinë politike shqiptare në Maqedoni. Rruga është e gjatë, por fitorja është e sigurt. Zëri yt, forca jonë – Izet Mexhiti për Çairin!”