GazetaMax
Lajme

BFI gëzon besim të lartë te besimtarët

Bashkësia Fetare Islame në RMV gëzon besim të lartë tek besimtarët e saj në shtet. Këtë e tregon hulumtimi më i ri i “Religija.mk”, “Institutit për Hulumtime Politike – Shkup – IPIS”, të mbështetur nga Fondacioni “Konrad Adenauer” – KAS, pjesë e projektit të analizës së perceptimit publik në shoqëritë multifetare, si R. e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Sondazhi, në të cilin janë përfshirë vetëm myslimanët, tregon se 66,7% e të anketuarve kanë besim në BFI, prej të cilëve 22,8% kanë deklaruar se kanë “besim të plotë”, ndërsa 43,9% janë përgjigjur me “deri diku po” se kanë besim. Vetëm 4.8% thonë se nuk kanë “fare besim” te BFI si institucion.

Kreu i BFI-së, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai, gëzon besimin më të lartë tek besimtarët, 56.1% e të anketuarve kanë besim “të plotë” apo “deri diku”. Edhe myftinjtë dhe hoxhallarët gëzojnë përqindje të lartë besimi. Në atë kontekst, myslimanët në Republikën e Maqedonisë së Veriut më parë do të kërkonin ndihmë për zgjidhjen e problemeve nga imami i tyre, sesa nga institucionet shtetërore tek të cilat realisht duhet të drejtohen për ndihmë për disa sfida me të cilat mund të ballafaqohen. Kur u pyetën: “Më mirë do të kërkoni mbështetje nga institucionet shtetërore apo nga Imami juaj për të zgjidhur problemet/sfidat?”, 35.8% zgjodhën Imamin si opsion, ndërsa 32.3% zgjodhën institucionet shtetërore.

Ky është sondazhi i parë i tillë i specializuar i opinionit publik në RMV për perceptimin e myslimanëve, tregon se për një pjesë të madhe të besimtarëve myslimanë në vend, postulatet e Islamit kanë ndikim të madh ose të caktuar jashtë institucioneve fetare, pra në jetën e tyre të përditshme. Një 70.8% e lartë e të anketuarve janë përgjigjur se “feja në jetën e tyre të përditshme ka një ndikim të madh, ose disi të madh”.

Ndër të anketuarit janë të ndara mendimet nëse ka procese të caktuara që kanë të bëjnë me ndikime të jashtme nga politika, gjë që reflektohet edhe në perceptimin gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe myftinjve.

56,6% e të anketuarve besojnë se “BFI është e ndjeshme, ose disi e ndjeshme ndaj ndikimeve politike”. BDI konsiderohet si parti politike për të cilën besimtarët mendojnë se ka ndikimin më të madh në BFI. Rreth 53.8% konsiderojnë se kjo parti politike ka ndikimin më të madh në BFI, ndërsa ndikimi i partive të tjera politike është pothuajse i papërfillshëm. Interesant për t’u analizuar është opinioni i myslimanëve lidhur me pyetjen “A duhet apo nuk duhet që BFI -ja të ketë ndikim politik në jetën publike”. Këtu kishte një ndarje mendimesh. 41.4% e të anketuarve kanë menduar se duhet të ketë, ose duhet të ketë njëfarë ndikimi, ndërsa 40.2% mendojnë se BFI nuk duhet, ose deri diku nuk duhet të ketë ndikim politik në jetën publike.

Një aspekt interesant i hulumtimit zbulon se për shumicën më të madhe të myslimanëve në vend, përkatësia fetare është më e rëndësishme se përkatësia etnike. 42.6% konsiderojnë se feja është më e rëndësishme për ta, ndërsa 30.2% janë përgjigjur se përkatësia etnike është më e rëndësishme se feja.

Radikalizmi fetar është një sfidë për myslimanët në vend, nga të cilët 10.5% e të anketuarve besojnë se ekziston në një pjesë të madhe të popullsisë, ndërsa 25.4% besojnë se radikalizmi fetar ekziston në një pjesë të caktuar të popullsisë.

Mbajtja e shamisë është një zgjedhje personale dhe meqenëse është pjesë e veshjeve tradicionale të grave myslimane në këto zona, ndryshe nga hixhabi dhe veçanërisht burka, shamia është e pranueshme për shumicën e myslimanëve në RMV.

Sondazhi konfirmon se shumica, ose 98,7% e myslimanëve në RMV i përkasin Islamit Sunit dhe shumica dërrmuese, ose 94,8% e tyre, e deklarojnë veten fetar, ose disi fetar. Në këtë kontekst, përqindja e atyre myslimanëve që praktikojnë agjërimin është e lartë, 51.1% “gjithmonë agjërojnë” dhe 29.9% “ndonjëherë agjërojnë”.

Hulumtimi u krye në muajt Maj dhe Qershor 2023, duke mbajtur raportin e përgjithshëm për sa i përket karakteristikave bazë demografike si gjinia, mosha, profesioni dhe arsimi. Duke marrë parasysh specifikat e hulumtimit, përzgjedhja është e shtresuar sipas rajoneve dhe vendbanimeve. Në këtë përzgjedhje, janë vëzhguar me kujdes të gjitha karakteristikat përkatëse socio-demografike të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga besimi Islam.

Marzha e gabimit është midis +/-3.2% me një interval besimi 95%.

Related posts

Grubi: Punët e mira dhe të arriturat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut mbajnë vulën e BDI-së

Gazetamax.mk

Kovaçevski: MPB do të sigurojë festim të sigurtë të 4 shkurtit, ditëlindjes së Goce Dellçevit

Gazetamax.mk

Ministri i jashtëm bullgar: Gjykimi i Allabakovskit dhe ndeshja e futbollit nuk dërgojnë mesazh pozitiv

Gazetamax.mk