Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, para mjeshtërve dhe zejtarëve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit prezantoi masat e tij programore për ruajtjen dhe zhvillimin e zejtarisë si shtyllë e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit.
“Çarshia e Vjetër është shpirti i Shkupit, një monument i gjallë i historisë, kulturës dhe traditës. Por e ardhmja e saj varet nga njerëzit që e mbajnë këtë traditë gjallë. Qëllimi ynë është t’i kthejmë Çarshisë shpirtin dhe imazhin historik, të ndalim zhdukjen e zejeve dhe të krijojmë kushte që ato të vazhdojnë të jetojnë,” deklaroi Osmani.
Në kuadër të kësaj vizioni, ai paralajmëroi një sërë masash që do ta gjallërojnë Çarshinë dhe do t’i japin energji të re:
– Programi “Mjeshtër dhe nxënës”: subvencione për mjeshtrit që trajnojnë të rinjtë; bursa për nxënësit dhe mirënjohje për çdo mjeshtër që përcjell dijen.
– Fondi i granteve për zejtarët: mjete për vegla, lëndë të para, pajisje dhe riparime, si dhe subvencione për shpenzime komunale dhe qira të dyqaneve në zonën historike.
– “Përjeto Çarshinë”, ditët e zejtarisë: aktivitete mujore me punishte të hapura, punime interaktive dhe përvoja autentike për vizitorët.
– Promovim digjital dhe turistik: platformë online me vulën e origjinës “E punuar në Çarshi”, si dhe mbështetje për panaire, ekspozita dhe programe turistike.
– Integrim urban: përfshirje e motiveve tradicionale në hapësirat publike dhe rikonstruksione, për ta bërë Çarshinë edhe më të dukshme në jetën moderne të qytetit.
“Komuna do të qëndrojë pas zejtarëve dhe çdo të riu që dëshiron të mësojë një zanat, sepse ata janë kujdestarët e kësaj trashëgimie. Turistët nuk vijnë këtu për ‘fast food’, por për karakterin historik që e bën Çarshinë të pazëvendësueshme,” theksoi Osmani.
Ai shtoi se Çarshia do të ringjallet para syve të publikut: “Vizitorët do të mund të hyjnë në punishte, të shohin nga afër punimin e bakrit, këpucëve, gdhendjeve apo tekstilit. Do të marrin pjesë, do të blejnë, do të mësojnë. Do të krijojmë një përjetim të vërtetë nga puna e zejtarëve. Kjo do të jetë oferta turistike numër një.”
Me këtë program, Osmani shpalli përkushtimin e tij për ta kthyer Çarshinë aty ku i takon – në zemër të Shkupit dhe në hartë si marka më e madhe kulturore, ekonomike dhe turistike e rajonit.