Inçeon, 13 shtator – Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi pati fjalim në hapjen e Konferencës së dytë për programim global të Fondit të Gjelbër Klimatik, që prej sot deri të enjten mbahet në Inçeon, Republika e Koresë.
“Nuk është vetëm kriza energjetike që ndikon tek shumica e ekonomive të vendeve të Evropës, por jemi duke u përballur me katastrofë të madhe natyrore siç janë vërshimet në Pakistan ose tajfuni i paracakohshëm që e goditi Korenë para se të vinim në konferencë. Pa dallim vëllimit, katastrofat natyrore do të kenë ndikim mbi vendet tona. Përgjegjësi e jona si qeveri, nuk është vetëm të përgatisim politika dhe strategji por në të njëjtën kohë edhe të zhvillojmë edhe të miratojmë sisteme të qëndrueshme të cilat do të përballen me ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, theksoi Bytyqi në fjalim.
Bytyqi ka potencuar se gjatë viteve të kaluara Fondi i Gjelbër Klimatik ka qenë mbështetës i yni dhe aleat në projekte të ndryshme, përmes së cilave, siç ka potencuar, janë realizuar disa aktivitete për ndjekjen dhe racionalizimin e financave klimatike, të cilat janë pilotuar dhe propozuar si zgjidhje afatmesme, derisa nuk sigurohen mjete për klimën në buxhetet nacionale.
Ka informuar se tashmë ka filluar të punohet në krijimin e një mjedisi për përfshirje në sektorin privat në investimet klimatike në bazë të sektorëve prioritarë në vend. Ka potencuar se ka filluar procesi i akreditimit të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) të jetë entiteti i parë nacional i akredituar nga FGJK, përmes së cilit do të krijohen mundësi më të mëdha për zhvillimin dhe implementimin e projekteve lidhur me klimën.
Zëvendëskryeministri Bytyqi ka shprehur falënderim për bashkëpunimin me Fondin e Gjelbër Klimatik dhe i ka përmendur projektet në të cilat bashkëpunojmë siç janë “Qytete të gjelbra” me mbështetjen e BERZH-it, “Instrument financiar për pajisje dhe ftohje” me mbështetjen e Bankës Botërore, në kuadër të së cilës do të formohet Fondi nacional për efikasitet energjetik dhe “Fondi global sub-nacional klimatik” për Ndihmë teknike dhe kapital.
“Së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor jemi të gatshëm të punojmë drejt qëllimeve për një kontinent neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050, përmes inkorporimit të politikës së ashpër klimatike dhe reformimit të sektorit energjetik dhe transportues, përmes disa aktiviteteve të caktuara”, ka potencuar Bytyqi.
Sipas tij, investimet globale për arritjen e qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për klimën kërkojnë veprime urgjente, para së gjithash për politikat klimatike. Politikat duhet të shoqërohen me rrjedha financiare përkatëse që të mbyllet hendeku financiar në nivel global, si edhe tek vendet në zhvillim.
Ka potencuar se duhet të braktiset koncepti i krijuar i varësive dhe të kalojmë në një epokë të re ku ndërvarësia do të jetë rruga jonë përpara dhe kjo do të katalizojë klimën e inovacionit – duke investuar në teknologji të reja, modele biznesi dhe praktika.