GazetaMax
Lajme

Bytyqi nga Brukseli: Hapim skriningun bilateral për treg të brendshëm, në të bazohet marrëveshja për vendosje të BE-së

Shkup, 23 janar – Në cilësinë e zëvendëskryeministrit të vendit-kandidat i cili tashmë i filloi negociatat me Bashkimin Evropian, dëshiroj të ju bindi se po bëjmë gjithçka për t’i përmbushur të gjitha kriteret e domosdoshme të dhëna nga Bashkimi Evropian lidhur me të gjithë 33 kapitujt, deklaroi sot në Bruksel, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, koordinim të resorëve dhe investime, Fatmir Bytyqi, në paraqitjen e tij në hapjen e dialogut bilateral për Klasterin – Tregu i brendshëm.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, pas përgatitjeve intensive në tre muajt e fundit, Maqedonia e Veriut e filloi skriningun bilateral për Kapitullin 3 – E drejta e themelimit dhe liria e dhënies së shërbimeve, nga Klasteri 2 – Tregu i Brendshëm. Para përfaqësuesve të DG NEAR (Drejtoria e përgjithshme për fqinjësi dhe politikë të zgjerimit): Vinsent Roj – zëvendës kryenegociues nga ana e BE-së, Alberto Kamarata – zëvendës udhëheqës i sektorit për Maqedoni të Veriut; Brigita Sabaliauskaite dhe Françeska Porçeli nga sektori për Maqedoni të Veriut, i prezantuam përgjigjet e pyetësorëve lidhur me shkallën e transponimit të legjislaturës së BE-së dhe implementimit të saj në Maqedoni të Veriut.
Bytyqi theksoi se nga themelimi i Bashkësisë ekonomike evropiane në vitin 1957, e më pas edhe përmes miratimit të Marrëveshjes së Mastrihtit në vitin 1992 dhe marrëveshjes së Amsterdamit në vitin 1997, kur ishte vendosur Zona e shengenit dhe finalizuar me Marrëveshjen e Lisbonës në vitin 2009, tregu i brendshëm është një nga aspektet më të rëndësishme të funksionimit të BE-së.
Bytyqi tha se i paraqet nder të madh të flasë në fillimin e skriningut bilateral të Maqedonisë së Veriut nga ana e përfaqësuesve të Komisionit evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së për Klasterin 2 – Tregu i brendshëm.
“Pas vendimit të Këshillit të Evropës për t’i filluar negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut në vitin 2020 dhe pas Konferencës së parë ndërqeveritare verën e kaluar, përfundimisht e filluam procesin negociues, Qeveria jonë dhe administrata nuk qëndruan duarkryq duke e pritur procesin. QË nga dita kur morëm statusin e kandidates në vitin 2004, ishim fuqishëm të përkushtuar në transponimin e së drejtës së BE-së (EU acquis) dhe rregullativave të tjera relevante, ndërsa gjatë disa viteve të shkuara ishim dhe akoma jemi fuqishëm të përkushtuar në përshpejtimin e këtyre proceseve që sa më shpejtë t[ë bëhemi vend anëtar i BE-së”, tha Bytyqi.

Para të pranishmëve, zëvendëskryeministri theksoi se në raportin e fundit të KE-së, në shumicën e kapitujve nga Klasteri 2, Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur dhe se në vitet e kaluara shënon përparim të kufizuar.
Bytyqi i bindi bashkëbiseduesit nga Brukseli se Maqedonia e Veriut do të përpiqet t’i përmbushë të gjitha kriteret që i kërkon vendi në 33 kapitujt e organizuar në 6 Klastere, si dhe tre sferat shtesë sipas metodologjisë së re.
“Jemi të përkushtuar dhe punojmë shumë në çdo rekomandim që ishte cekur në raportin e fundit të BE-së. Me krenari mund të theksoj se pas më shumë se dy viteve konsultime me akterët relevantë, ne jemi në fazën përfundimtare të krijimit të një Ligji të ri sistematik për marrëdhënie të punës, në suaza të të cilave do të zgjidhen shumica e çështjeve nga Kapitulli 2, si liria e lëvizjes së punëtorëve. Bëmë hap të madh edhe në riorganizimin e institucioneve nacionale, me çka do të fillojmë ta optimizojmë tërë strukturën administrative. Me këtë shumë mirë e kuptojmë se nuk duhet të ulen, por të rriten kapacitetet njerëzore, posaçërisht në institucionet të cilat e rregullojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe ky do të jetë hap drejt përmbushjes së rekomandimeve nga kapitulli i parë, lëvizja e lirë e mallrave. Me miratimin e plotë të Ligjit për marrëdhënie të punës, i cili u përmend më lartë, si dhe me propozimi tashmë të definuar për ndryshime të Ligjit për shërbimet postare, do të adresojmë edhe një pjesë të rekomandimeve në kapitullin 3, E drejta e themelimit dhe liria e dhënies së shërbimeve”, deklaroi Bytyqi.

Në fjalimin e tij në bruksel, ai nënvizoi se punojmë edhe në zbatimin e rregullativës më të re për sisteme të pagesës dhe shërbimeve për të cilat do të përgatitet Udhërrëfyes për zbatim të rregullave të BE-së për lëvizje të kapitalit, duke e përfshirë këtu edhe tokën bujqësore, e cila është në Kapitullin 4, lëvizja e lirë e kapitalit.
Në Kapitullin 6, i cili ka të bëjë me Ligjin për shoqatat tregtare, vendi është mirë i përgatitur, sepse tashmë është sjellë Ligji i ri për kontabilitet dhe do të vazhdojmë të punojmë në harmonizimin në sferën e kontabilitetit dhe revizionit.

Lidhur me Kapitullin 7 – E drejta e pronësisë intelektuale punojmë në harmonizimin e legjislaturës përmes miratimit të Strategjisë për pronësi intelektuale e cila do të jetë pjesë përbërëse e Strategjisë nacionale zhvillimore 2022-2042, duke i marrë parasysh rekomandimet të cilat dalin nga Kapitulli 7.
Vendosja e Sistemit të integruar informativ për menaxhim me financat publike në të cilin intensivisht punon Ministria e Financave është i rëndësishëm për përmbushjen e Kapitullit 8 – Konkurrenca. Ndërkaq Ligji i ri për mbrojtje të konsumatorëve i cili është në fazë përfundimtare të përgatitjes në Ministrinë e Ekonomisë do t’i përmbushë pjesën më të madhe nga obligimet e Kapitullit 28 – Mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndeti publik.

Skriningu bilateral për Klasterin 2 i përbërë nga nëntë kapituj, koordinimi i të cilit është i zëvendëskryeministrit Bytyqi, fillon me Kapitullin 3, E drejta e themelimit dhe liria e dhënies së shërbimeve.
Ky segment nga procesi negociues për Klasterin 2, Tregu i brendshëm, do të zgjasë rreth dy muaj dhe i njejti është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse është një ndër më të mëdhenjtë, por edhe kushtimisht thënë, më të rëndësishmit për Komisionin evropian, sepse në të janë përmbajtur kapitujt për 4 liritë themelore të cilat janë baza e marrëveshjes për vendosje të Bashkimit Evropian

Related posts

Që nga ardhja e Arsovskës, Shkupi nuk pa dritë me sy! A është dorëheqja zgjidhja më e mirë?

Gazetamax.mk

Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” pëson rënie prej 20 vendeve në rang listën e universiteteve më të mirë në botë

Gazetamax.mk

#20vjetbashkë, BDI feston 20 vjetorin e themelimit

Gazetamax.mk