GazetaMax
Lajme

Çdo vit borxhi i “MZ Transport” ndaj kompanisë kroate rritet për një milionë euro

E paqartë mbetet se si dhe pse të gjitha qeveritë e Maqedonisë nga viti 2007 e deri sot kanë lejuar që një borxh prej 3,8 milionë eurosh (i pranuar nga shteti) të rritet në plot 25 milionë euro, ndërsa janë injoruar të gjitha thirrjet për zgjidhje me marrëveshje të kontestit.

Procesi gjyqësor për borxhin ndërkombëtarisht të pranuar të “Hekurudhat e RMV – Transport” SHA Shkup ndaj “Hekurudhat Kroate – Cargo” tashmë ka nisur. E paqartë është me cilat argumente Avokatura e Shtetit do t’i mbrojë interesat e shtetit, duke marrë parasysh që borxhi është zyrtarisht i pranuar në të gjitha planet e biznesit publikisht të qasshme të të gjithë ish-drejtorëve të “MZ Transport”, shkruan MKD.mk

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pas barazimit të llogarive dhe borxheve të ndërmarrjeve hekurudhore, është konstatuar që MZ Transport kishte një borxh prej rreth 49 milionë eurosh ndaj rreth njëzet ndërmarrjeve hekurudhore evropiane. Me ndërmjetësimin e Unionit Ndërkombëtar të Hekurudhave (UIC) u arrit një lloj marrëveshjeje për barazim, por mbetën të hapura llogaritë me Kroacinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Me Hungarinë dhe Bullgarinë çështja u mbyll në nivel bilateral, ndërsa mbeti borxhi prej 3,8 milionë eurosh i Hekurudhave të Maqedonisë ndaj “Hekurudhave Kroate Cargo”. Këto pretendime ishin pjesë e të ardhurave nga transporti hekurudhor dhe mallrash nga viti 1991 deri në 1995 mes Kroacisë dhe Maqedonisë.

Megjithëse kreditori – kompania CIOS nga Zagrebi (kompania që bleu të gjitha pretendimet nga “Hekurudhat Kroate Cargo”) çdo vit dërgon kërkesë zyrtare për negociata me qëllim që të mos rritet borxhi dhe të ndalet rrjedhja e kamatës, deri më sot asnjë qeveri e Maqedonisë nuk ka ndërmarrë hapa për zgjidhjen e problemit.

Sipas Planit për ndarjen e Hekurudhave të Maqedonisë, i verifikuar me Vendim të Qeverisë së RM më 8 maj 2007 (nr. 19-2597/1, “Gazeta Zyrtare e RM” nr. 58/11.05.2007), borxhi mbi bazën e transportit hekurudhor ndaj hekurudhave të huaja (1991–1995 dhe më pas nga viti 1996) i takoi “Hekurudhave të RMV – Transport” SHA. Kryegjendja e borxhit ishte 3.842.386 euro, ndërsa në gusht 2024 kjo shifër tashmë arrin në 24.731.468 euro.

Njëkohësisht, në planin e biznesit të kompanisë thuhet se të gjithë borxhet e tjera të pazgjidhura nga i njëjti periudhë (përveç me Kroacinë) janë rregulluar me ndërmjetësimin e Unionit Ndërkombëtar të Hekurudhave (UIC) – dhe janë pranuar me falje të kamatave dhe ulje të kryegjendjes së borxhit për 51%, me garanci shtetërore për pagesë. Për shembull, borxhi me Hekurudhat Hungareze u zgjidh me sukses përmes një marrëveshjeje bilaterale me garanci nga Qeveria në vitin 2009.

Deri më tani disa herë janë formuar grupe pune me detyrë të përgatisin raport për të gjitha zgjidhjet e mundshme ligjore për këtë problem. Pa asnjë rezultat. Edhe katër vite më parë kur u shkrua për këtë problem, edhe sot nga Hekurudhat e Maqedonisë Transport – heshtje.

Borxhi i ndërmarrjes aksionare shtetërore MZ Transport rritet çdo vit – për rreth një milion euro në vit. Dhe kështu vazhdon prej vitesh.

“Hekurudhat e RMV – Transport” SHA është anëtare aktive e UIC, prandaj ka detyrim të respektojë rekomandimet dhe rregullat e brendshme të këtij asociacioni, si dhe direktivat e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të BE-së. Konventat janë ratifikuar nga Republika e Maqedonisë dhe janë pjesë e rendit juridik të brendshëm.

Sipas dokumenteve që ka siguruar redaksia jonë, borxhi është pranuar nga tetë ish-drejtorë të Hekurudhave të Maqedonisë, gjë që e konfirmon më tej vlefshmërinë e tij ligjore dhe faktike. Megjithatë, institucionet shtetërore mbeten pasive dhe lejojnë që çdo vit shuma e detyrimeve të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.

Me këtë qasje, shteti jo vetëm që e rëndon barrën e “Hekurudhave të RMV – Transport” SHA, por gjithashtu e vë në pikëpyetje reputacionin e vendit në marrëdhëniet financiare ndërkombëtare.

Related posts

Zjarri në Strugë po vihet nën kontrollë, nuk ka rezik për vikend shtëpitë

Gazeta Max

Erion Isai ndahet pas 12 vitesh martesë me bashkëshorten e tij, gjykata finalizon divorcin

Gazeta Max

Angellovska-Bezhoska: Prioriteti i bankave qendrore është sigurimi i stabilitetit afatmesëm të çmimeve

Gazeta Max