GazetaMax
Lajme

Cili ligj i dobishëm për qytetarët po bllokohet nga opozita në Kuvend?

Shkup, 16 maj – Kuvendi i RMV-së nga 10 maji është në bllokadë aktive të iniciuar nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, e cila kërkon zgjedhje të parakohshme. Bllokada përkrahet edhe nga partia opozitare shqiptare Lëvizja Besa, ndërkaq për zgjedhje të parakohshme janë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Por edhe se kishin paralajmëruar se ligjet që janë në ndihmë të qytetarëve nuk do të bllokohen, ligji për subvencione për kultivuesit e duhanit ka ngecur në Kuvend, shkruan Zhurnal.

Të zgjedhurit e popullit po bllokojnë punën e tyre, kryesisht për interesa të tyre për fitim të pushtetit, pa çka se bllokohet i tërë shteti e veçanërisht qytetarët në mes të krizës mbesin në pritje të zhbllokimit të Kuvendit, me çka do të marrin ndihmat të cilat u takojnë. Një Kuvend i bllokuar do të thotë një ngërç politik. I cili nuk prodhon asgjë tjetër përpos thellimit në krizë, ose tradicionalisht zgjedhje të parakohshme, që nga përvoja dihet se në vendin tonë ka shpesh zgjedhje por rrallë herë ka zgjidhje të problemeve.

“Qeveria nuk është zgjidhje për këtë katastrofë nacionale, ajo është problemi. Prita të paktën të ketë përgjegjësi në LSDM edhe në kushte të krizës si politikanë të gjenerojmë unitet. Ne nesër do të kemi seancë të Komitetit ekzekutiv dhe do të propozoj si hap të parë pas 10 majit të ketë njëfarë bllokade aktive të Kuvendit. Ajo do të jetë bllokadë aktive e gjithçkaje, me përjashtim të atyre ligjeve që nënkuptojnë paga më të larta ose ndonjë ndihmë për qytetarët”, kishte paralajmëruar Mickovski përmes një interviste në një televizion.

Më 10 maj ngjashëm sikurse kishte paralajmëruar kreu i kësaj partie Kuvendi u fut në bllokadë aktive, por në paralajmërim para bllokadës Mickovski kishte theksuar se nuk do të bllokojë ligjet të cilat janë në ndihmë të qytetarëve, e kësaj nuk po i përmbahet për faktin se tani në Kuvend po zvarritet ligji për kultivuesit e duhanit, që sa më parë të marrin subvencionet që u takojnë. Kjo është ndihmë direkte për qytetarët por ja që bllokada në Kuvend po e vështirëson këtë procedurë.

Kryeministri Kovaçevski për këtë çështje tha se mjetet në buxhet janë siguruar dhe se si çdo vit mbetet me një ndryshim të ligjit që të sigurohet pagesa e tyre.

Ai tha se ka kërkuar nga deputetët në Kuvend që menjëherë të vendosin ligjin në rend dite, por duke qenë se Komisioni për Bujqësi udhëhiqet nga një deputet i opozitës maqedonase, gjegjësisht kryetar i njërës nga partitë e koalicionit VMRO – DPMNE, ai ligj ende nuk është vënë në diskutim dhe seancë parlamentare për këtë ligj ende nuk është caktuar.

Nga këtu shihet se opozita maqedonase po bllokon ligje që nënkuptojnë një jetë më të mirë për qytetarët dhe pikërisht bëhet fjalë për ndihma që janë paraparë për kultivuesit e duhanit që janë prodhues shumë të rëndësishëm në vend.

Përmes një paraqitje për media pas vizitës në spitalin e përgjithshëm në Prilep, kryeministri Kovaçevski i bëri apel deputetëve të opozitës, posaçërisht Komisionit për Bujqësi që sa më parë të caktojnë seancë e të miratohet në rend dite kjo ndihmë e paraparë për kultivuesit e duhanit.

“E shfrytëzoj këtë rast edhe një herë për t’i bërë thirrje që menjëherë të caktohet seanca e Komisionit të Bujqësisë dhe brenda pak orësh të votohet amendamenti teknik i ligjit, në mënyrë që kultivuesit e duhanit të fillojnë menjëherë të marrin subvencionet e tyre” ka thënë Kovaçevski.

Ai shtoi mes tjerash se nuk është serioze bojkotimi i Kuvendit në kushtet e krizës më të madhe energjetike botërore dhe u bëri thirrje deputetëve të jenë përgjegjës për këtë situatë.

Ndryshimet të cilat përfshin në ligj para se të miratohet kanë të bëjnë kryesisht me ndryshime teknike të cilat poashtu janë të dobishme për qytetarët për faktin se e lehtësojnë procedurën për aplikim për shfrytëzim të subvencioneve të parapara për këtë kategori qytetarësh, kultivuesit e duhanit.

Pra, është ndryshim i ligjit që lehtëson procedurën për përfituesit e subvencioneve, gjegjësisht kultivuesit e duhanit që nuk duhet të shkojnë në Drejtorinë e të Hyrave Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut (UJP) për të marrë kupon fiskal për tatimet e paguara në mënyrë që të lehtësohet fillimisht pagesa për të lehtësuar dorëzimin teknik të kërkesës për subvencione.

Për këto ndryshime Kovaçevski ka thënë se janë të zakonshme që çdo vit miratohen, por këtë vit përshkak të bllokadës kanë ngecur.

“Si çdo vit është një ndryshim teknik që Kuvendi menjëherë e miraton, por deri në këtë moment Komisioni për Bujqësi nuk e ka vënë atë ligj as në rend dite”, ka thënë Kovaçevski.

Edhe njëherë po vërtetohet se bllokada në Kuvend është e dëmshme sepse shteti është në krizë të shumëfish dhe me një Kuvend jo funksional kriza veçse thellohet edhe më shumë, shumë ligje të rëndësisë së qytetarëve nuk do të mund të votohen, me fjalë të tjera deputetët nuk janë aktiv e nuk punojnë edhe për faktin se janë të zgjedhur të punojnë e përfaqësojnë interesat e qytetarëve, këta nuk i dalin në ndihmë qytetarëve.

Por kujtojmë që, Kuvendi bllokohet kur qeveria është e arnuar me deputet të joshur për pushtet, e krijohet shumicë me pakicë që vetëm të qëndrojnë e të kenë pushtet, me fjalë të tjera vetëm qeveritë jo stabile mundësojnë bllokim Kuvendi e futje të vendit në krizë të shumëfish, në rrugë pa dalje./Zhurnal.mk

Related posts

Kovaçevski – Dir: Mbështetje e plotë për Ukrainën

Gazetamax.mk

Grubi për KosovaPress: Serbia nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës

Gazetamax.mk

Shqiptari Abdulhamid Rizvani drejton partinë SPD të Leverkusenit në rrethet Rheindorf dhe Hitdorf

Gazetamax.mk