Futbollistja shqiptare Dafina Rexhepi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyeshme, duke shënuar një gol dhe asistuar në një tjetër, por skuadra e saj, Stuttgarti, pësoi humbje si vendase me rezultat 2:3 nga Bayer Leverkuseni.
“Një gol i jashtëzakonshëm i Dafinës, i denjë për çmimin ‘Goli i muajit’, si dhe një gol i Mira Arounas, nuk mjaftuan që skuadra vendase të merrte pikë”, shkruan faqja zyrtare e VfB Stuttgartit.
Dafina Rexhepi realizoi golin e barazimit 1:1 në minutën e 46-të, me një goditje spektakolare, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës.
Shqiptarja ishte protagoniste edhe në minutën e 86-të, kur ekzekutoi një goditje dënimi nga krahu i majtë, ndërsa Mira Arouna u tregua më e shpejtë se kundërshtarja dhe shënoi për 2:2.
Megjithatë, festa e vendaseve nuk zgjati shumë, pasi Bayer Leverkuseni shënoi golin e fitores në minutën e 90+2-të, duke ia mohuar Stuttgartit mundësinë për të marrë të paktën një pikë.
Në këtë takim, Lumbardha Misini u paraqit nga minuta e 88-të për Bayer Leverkusenin.
Pas javës së dhjetë në Bundesliga, Bayer Leverkuseni renditet në vendin e pestë me 19 pikë, ndërsa Stuttgarti zë vendin e nëntë me 11 pikë.
Burimi: botasot.info
