Një kontroll policor në orët e para të mëngjesit të së hënës në Gjilan ka përfunduar me zbulimin e një sasie të dyshuar marihuane në një veturë ku ndodheshin tre të rinj. Të dyshuarit kanë deklaruar se substanca u përkiste të gjithëve dhe se e kishin për përdorim personal.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 02:30, në rrugën e Kamenicës, patrullat policore kanë ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit kanë gjetur një qese me 12.04 gramë substancë të dyshuar marihuanë, si dhe një cigare të mbushur me 1.36 gramë të së njëjtës substancë.
Sasia e përgjithshme e substancës së gjetur ishte 13.40 gramë.
Në këtë rast janë identifikuar si të dyshuar Arijanit Amidi, i lindur në vitin 2003, Geldon Bajrami, i lindur në vitin 2000, dhe B.N., e lindur në vitin 2008.
Gjatë intervistimit, sipas informacioneve të siguruara, të tre kanë deklaruar se marihuana ishte e përbashkët dhe e destinuar për përdorim personal.
Substanca i është nënshtruar testit fushor, i cili ka rezultuar pozitiv për narkotikë.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që rasti të iniciohet sipas nenit 267 të Kodit Penal, ndërsa të tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Burimi: botasot.info
