Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka bërë të ditur një tjetër projekt infrastrukturor që pritet të ndryshojë dukshëm hapësirën ndërmjet dy shkollave fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe “Abdyl Frashëri”.
Sot është nënshkruar kontrata për realizimin e projektit që parasheh ndërtimin e një rruge për këmbësorë dhe biçikleta, si dhe një shëtitoreje me rregullim të plotë hortikulturor mbi dhe përgjatë mbulesës së kanalit.
Projekti ka rëndësi të veçantë për komunitetin, pasi në këto dy shkolla mësojnë mbi 2.000 nxënës. Me realizimin e tij, kjo hapësirë do të transformohet në një ambient më të sigurt, më të rregulluar dhe më të përshtatshëm për nxënësit, familjet dhe të gjithë banorët e Haraçinës.
Ajo që e veçon këtë projekt është se nuk ka qenë pjesë e zotimeve të Daut Beqirit gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, kryetari ka vendosur ta përfshijë në agjendën e punës, duke u bazuar në nevojat konkrete dhe kërkesat e qytetarëve.
Beqiri ka njoftuar se punimet do të fillojnë që këtë javë, duke kërkuar njëkohësisht nga banorët të respektojnë pronën publike dhe të lirojnë hapësirat e uzurpuara që përfshihen në trasenë e projektit.
Me këtë projekt, administrata e udhëhequr nga Daut Beqiri synon të krijojë jo vetëm infrastrukturë të re, por edhe hapësira më cilësore për jetën e përditshme të qytetarëve.
Haraçina po ndryshon përmes projekteve konkrete, ndërsa investimet po shtrihen në gjithnjë e më shumë pjesë të komunës.
Burimi: alfax.mk
