GazetaMax
Showbizz

Debatet televizive – aty ku gazetarët shndërrohen në analistë

Në vitet e fundit, studiot televizive shqiptare janë kthyer nga hapësira informimi në një skenë spektakli. Në vend të një debati të vërtetë, kemi përplasje të sajuara, tensione të panevojshme dhe figura që luajnë role të shumëfishta për të zënë sa më shumë hapësirë në ekran. Ajo që mungon gjithnjë e më shumë është profesionalizmi. Dhe më shqetësuesja, mungon e vërteta.

Nga: Avni Selmani

Sipas rregullave bazë të etikës profesionale, gazetari duhet të qëndrojë i paanshëm, të raportojë me saktësi dhe të mos bëhet pjesë e qëndrimeve politike apo ideologjike. Tani, shumë prej tyre janë shndërruar në “analistë” të përhershëm, të pozicionuar politikisht, me tone të ashpra, që më shumë po ndikojnë sesa informojnë. Kur gazetari mban anë në vend që të mbajë qëndrim profesional, nuk kemi më media, por propagandë e paketuar si debat.

Por më problematike se kaq janë ata që e quajnë veten “analistë”, e në fakt janë shfaqje më vete, njerëz që çdo mbrëmje dalin në ekran dhe flasin me autoritet për gjithçka. Nuk ka fushë që nuk e njohin, nga ekonomia globale te historia botërore, nga vaksinat te konflikti në Lindjen e Mesme, nga politika amerikane te ligji zgjedhor në Shqipëri. Janë “ekspertë universale” që do t’i kishte zili edhe Google-i.

Disa prej tyre janë bërë pjesë e pandashme e studios, të pranishëm pavarësisht se çfarë po diskutohet. Të njëjtat fytyra, të njëjtat mendime, e njëjta vetëbesim i tepruar. Ata dinë çfarë ka bërë gabim presidenti amerikan, çfarë ka në mendje kryeministri, çfarë do ndodhë nesër me çmimin e naftës dhe pse je ti me tension të ulët. Dhe kur mbarojnë batutat e lodhura politike, kalojnë në rolin e humoristit. Sepse edhe të qeshësh në studio është pjesë e performancës.

Ndërkohë, analistët e vërtetë që dinë, ekspertët e fushave, profesorë, mjekë, ekonomistë, shkencëtarë janë lënë pas dore. Janë shumë “të qetë” për televizionin, shumë “të mërzitshëm” për publikun që ka nevojë për konflikt, jo për sqarim. Dhe kështu, vendin e dijes e ka zënë vetëbesimi. Vendin e argumentit e ka zënë emocioni. Vendin e të vërtetës, opinioni.

Në këtë kaos mediatik, televizioni po e humb funksionin e tij informues dhe po shndërrohet në një skenë spektakli. Nëse nuk kthehemi te profesionalizmi dhe përmbajtja, do të vazhdojmë të dëgjojmë shumë, por të kuptojmë shumë pak.

https://www.facebook.com/avni.selmani.7/posts/pfbid0qZQzdoMEnjKz7t2zZsW3s69oGsXoRM64n9fLrRMV7h1sMzaczgwvSpyLaHgPrvQ5l?rdid=H6OcB7dkdLoPsrK9#

Related posts

Çfarë sekretesh nuk po i zbulon Leonora Jakupi?

Gazeta Max

A e dini se mund të keni probleme me zemrën nga lumturia e tepërt?

Gazeta Max

“Shqiptarët më kanë dalë për hundësh”, Fjolla Morina zbulon se i dashuri i saj i ri është nga ky shtet

Gazeta Max