Një vizitë e veçantë u zhvillua sot në Qendrën Rinore të Deçanit, ku kryetari Bashkim Ramosaj mirëpriti delegacionin Erasmus+ Youth, në kuadër të projektit Y-WISE (Youth Work Improves Society Engagement).
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga 12 shtete të ndryshme – Austria, Kosova, Armenia, Turqia, Kroacia, Italia, Jordania, Lituania, Palestina, Polonia dhe Tunizia – të cilët u njohën nga afër me jetën, punën dhe energjinë e të rinjve të Deçanit.
Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të zhvillojë biseda frymëzuese me të rinjtë vendas, duke ndarë përvoja mbi aktivizmin qytetar, sfidat e brezit të ri dhe rolin e tyre në zhvillimin e komunitetit.
Kryetari Ramosaj theksoi rëndësinë e këtyre takimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për rritjen e kapaciteteve rinore lokale:
“Këto takime janë ura që lidhin të rinjtë e Deçanit me bashkëmoshatarët e tyre në vende të ndryshme të botës. Përmes shkëmbimeve kulturore dhe ideve të reja, të rinjtë tanë fitojnë përvoja që i ndihmojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe për komunitetin tonë.”
Takimi u vlerësua si një mundësi e vlefshme për shkëmbim kulturor, ndarje përvojash dhe forcim të rrjeteve ndërkombëtare të rinisë, duke e pozicionuar Deçanin si një qendër dinamike të bashkëpunimit rinor.
https://www.facebook.com/share/p/179QqH7JDT/


