GazetaMax
Lajme

Diaspora shqiptare në Miçigen mbështet protestuesit e Malësisë kundër deponisë së Podgoricës

Shoqata “Jehona e Malësisë”, e drejtuar nga kryetari Agron Dedivanaj në emër të shqiptarëve të diasporës në Miçigen, ka shprehur mbështetjen e plotë për protestuesit dhe qytetarët e Malësisë, duke ngritur zërin kundër hedhjes së paligjshme të mbeturinave në deponinë e Podgoricës, e cila ndodhet brenda territorit administrativ të Komunës së Tuzit.

Në reagimin e bërë publik, shoqata thekson se kjo gjendje cenon drejtpërdrejt shëndetin, mirëqenien dhe të drejtën themelore të qytetarëve për një mjedis të pastër dhe një jetë me dinjitet, duke prekur gjithashtu ndjenjën e përkatësisë dhe dinjitetit kombëtar.

“Ne i referohemi standardeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe parimet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, thuhet në apel.

Duke u mbështetur në këto dokumente, diaspora kërkon:
1. Vlerësim urgjent të situatës mjedisore dhe të shkeljeve të mundshme të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbështetje teknike dhe ekspertizë për zgjidhjen e problemit.
2. Marrjen e masave të menjëhershme nga autoritetet shtetërore dhe lokale për ndalimin e hedhjes së mbeturinave dhe rehabilitimin ekologjik të zonës.

Shoqata “Jehona e Malësisë” paralajmëron se do të merret në konsideratë edhe procedura e arbitrazhit ndërkombëtar, nëse institucionet përkatëse dështojnë të garantojnë të drejtat e qytetarëve mbi territor dhe mbrojtjen e tij ekologjike.

“Ky apel nuk është vetëm kërkesë për respektimin e ligjit, por një thirrje për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, e cila është pasuri e përbashkët jo vetëm e Malësisë, por edhe e gjithë rajonit dhe Evropës. Qëndrojmë të bashkuar, sepse vetëm me solidaritet mund të mbrojmë shëndetin, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe mjedisin që na përket të gjithëve”, përfundon reagimi i diasporës.

Ja postimi i plotë:

Ne, “Jehona e Malësisë”, në emër të shqiptarëve të diasporës në Miçigen, mbështesim protestuesit dhe qytetarët e Malësisë, duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë për situatën e krijuar nga hedhja e paligjshme e mbeturinave në deponinë e Podgoricës, brenda territorit administrativ të Komunës së Tuzit.

Kjo gjendje cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë shëndetin, mirëqenien dhe të drejtën themelore për një mjedis të pastër dhe një jetë me dinjitet – duke prekur njëkohësisht edhe ndjenjën e përkatësisë dhe dinjitetit tonë kombëtar.

Këto të drejta nuk janë vetëm aspirata morale: ato garantohen nga Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe nga parimet themelore të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Duke u mbështetur në këto standarde ndërkombëtare, kërkojmë:
1. Vlerësim urgjent të situatës mjedisore dhe të shkeljeve të mundshme të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbështetje teknike dhe ekspertizë për zgjidhjen e problemit.
2. Që kjo protestë të shërbejë si nxitje ndaj autoriteteve shtetërore dhe lokale, për të ndërmarrë masa të menjëhershme ligjore dhe administrative, duke ndaluar hedhjen e paligjshme të mbeturinave dhe duke siguruar rehabilitimin ekologjik të zonës së dëmtuar.
Do merret në konsideratë procedura e arbitrazhit ndërkombëtar, nëse institucionet qeveritare dështojnë të garantojnë të drejtat tona mbi territor dhe mbrojtjen e tij ekologjike.

Ky apel qytetar nuk është vetëm kërkesë për respektimin e ligjit; ai është edhe një thirrje për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, e cila është pasuri e përbashkët jo vetëm e Malësisë, por edhe e gjithë rajonit dhe e Evropës.

Ne qëndrojmë të bashkuar, sepse vetëm përmes unitetit dhe frymës së solidaritetit qytetar mund të mbrojmë shëndetin tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe mjedisin që na përket të gjithëve.

Related posts

Kovaçevski: Për të bërë më shumë dhe më mirë na duhet mbështetja e qytetarëve

Gazeta Max

Deputeti Skender Rexhepi – Zejd, priti në takim nga ambasadori shqiptar, Denion Meidani

Gazeta Max

Haxhiu shkon për vizitë në Hagë, por nuk është e sigurt nëse Thaçi e Veseli do ta pranojnë në takim

Gazeta Max