GazetaMax
Lajme

Dimër i ashpër në Rripin e Gazës, tenda të përmbytura, mungesë ngrohjeje dhe viktima

Tenda të përmbytura dhe ndërtesa të rrënuara, kështu duket dimri në Rripin e Gazës. Dimër i ftohtë, erë e fortë, mungesa për ngrohje, paraqesin sfida serioze për palestinezët. Si pasojë e këtyre kushteve të ashpra, jetën e humbën 6 fëmijë, prej të cilëve 5 humbën jetën nga përmbytjet, ndërsa një nga shembja e një ndërtese, e cila ishte dëmtuar më herët nga sulmet izraelite.

“Situata është e vështirë dhe e tmerrshme. Uji hyn në tendat tona. E imja u shkatërrua nga era, ndaj morëm një të re, por e njëjta gjë ndodhi edhe me të. Nata ishte jashtëzakonisht e ftohtë. Të gjitha batanijet dhe dyshekët janë të lagur, ndaj nuk kemi asgjë me të cilën mund të ngrohemi.”, – tha personi i zhvendosur, Shadi Al Tatar.

“Më zgjoi shiu që binte mbi mua. Filluam ta mblidhnim ujin në enë. Të gjitha batanijet dhe dyshekët tanë u lagën dhe nuk kam as ku t’i thaj. Jeta jonë është e vështirë dhe e mjerueshme.”, – u shpreh personi i zhvendosur, Meriem Al Madhun.

Këto kushte të rënda të motit dhe të jetesës përkeqësohen edhe më tej për shkak të mungesës së drunjve për ngrohje dhe gazit.

“Do të doja të mund të ndizja zjarr për t’u ngrohur, por nuk kam ku të gjej dru për ngrohje dhe nuk kam as ndonjë mjet tjetër ngrohës, as gaz. E vetmja gjë që kemi janë pak plastikë dhe qese najloni, që të mund të përgatisim diçka për të ngrënë.”, – tha një person i zhvendosur, Samir Haxhi.

Rripi i Gazës hyn në vitin e ri 2026 me armëpushimin e brishtë mes Izraelit dhe Hamasit. Që nga fillimi i armëpushimit, sipas pretendimeve të autoriteteve palestineze, janë vrarë 416 palestinezë dhe rreth 1.200 janë plagosur. Sipas të njëjtave burime, bilanci i përgjithshëm i viktimave nga lufta vlerësohet në rreth 72.000 persona të vrarë.