Kandidati për kryetar të komunës së Kumanovës dhe lider i Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë, Maksim Dimitrievski, sot në përmbyllje të fushatës u bëri thirrje qytetarëve të Kumanovës për pjesëmarrje masive në raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet të dielën më 2 nëntor.
“Ju ftoj që të dilni të dielën dhe ta bëni zgjedhjen e duhur, sepse Kumanova duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe të ndërtohet. Kumanova meriton vazhdimësi, jo improvizim. Gjatë fushatës, kur shkoj nëpër fshatra, më thonë se po punoj në qytet. Kur shkoj në qytet, më thonë se po punoj nëpër fshatra. Shkoj te bashkëqytetarët e mi shqiptarë, më thonë se punoj vetëm për maqedonasit. Shkoj te maqedonasit dhe serbët, më thonë se punoj vetëm për shqiptarët. Por një gjë është e qartë – të gjithë thonë se po punoj. Dhe unë kam qëllim, bashkë me ju, të vazhdoj të punoj. Këtë e kam bërë gjatë tetë viteve të fundit, kam realizuar mbi 800 projekte dhe nëse e fitoj përkrahjen tuaj të dielën, do t’i dyfishoj ato projekte. Ka probleme në qytet, ka pasur gjithmonë, por puna ime do të jetë t’i zvogëloj ato,” theksoi Dimitrievski.
Ai shtoi se dashuria për qytetin dhe për njerëzit është arsyeja pse kërkon besimin e tyre përsëri.
“Sepse i dua të gjithë ju dhe e dua qytetin tonë, ju ftoj të dilni masivisht të dielën, jepni përkrahjen tuaj për numrin dy, për mua, për kryetarin tuaj Maksim Dimitrievski. Sepse edhe Kumanova e di, por edhe Maqedonia e di,” përfundoi ai.

