GazetaMax
Lajme

Dukuritë më negative: bixhozi dhe fajdexhinjtë legal janë bërë shpresë për qytetarët

Shkup, 2 nëntor – Maqedonia e Veriut është i njohur si vend i çudirave dhe trazirave, prandaj nuk është për çudi që edhe dukuritë më negative të shoqërisë shndërrohen në shpresë për shoqërinë. Bixhozi dhe fajdexhinjtë legal nuk është se janë shtuar sepse kanë ekzistuar edhe më herët, por tani klientët e tyre janë shumëfishuar. Duke pas parasysh krizën me të cilën po përballet vendi, ku gjitha çmimet janë ngritur në piedestal shumë qytetarë në mungesë të zgjidhjeve tjera, zgjedhin të aktivizohen në vendet më destruktive të shoqërisë. Bixhozi nuk shkatërron vetëm personin që ekspozohet në këto vende denigruese, por shkatërrimi është një zinxhir që hallkat tjera dëmtohen edhe më shumë, si familja e shoqëria. Fajdexhinjtë legal po mashtrojnë në mënyrë publike me parullat për ndihmë e lehtësim për vetëm pesë minuta po shkatërrojnë e fundosin qytetarë me vite të tëra, shkruan Zhurnal.

Ditëve të fundit ka qenë aktuale mashtrimi që po bëhet ndaj qytetarëve nga shoqëri private financiare jo bankare të njohura si “shitore për para” për dhënien e kredive të shpejta që pastaj për pasojë qytetarët po fundosen në borxhe marramendëse. Për shkak të rritjes enorme të borxhit bazë si rrjedhojë e mos pagesës me kohë të kësteve, shumat që duhet të kthehen janë shumë të larta.

Në vendin tonë nuk duhet ndonjë incizim me dron apo përdorimi i navigacioneve për të gjetur kazinotë dhe këto shitoret e parave sepse janë shpeshtuar aq shumë në lokacione që mund të gjesh në çdo cep e në secilin qytetet. Ekziston një shtrirje e gjithanshme dhe në lokacione shumë delikate e të rrezikshme për shoqërinë, posaçërisht për të rinjtë. Shembull, bastet dhe kazinotë hapen në lokacione përballë shkollave të mesme dhe kjo në mënyrë direkte u imponohet të rinjve duke qenë sa më tërheqës për ata.

Pothuajse në të njëjta lokacione po vendosen edhe “shitoret e parave” dhe me këtë ata po dëshmojnë se fokus grupet e tyre janë të rinjtë, sepse ata janë edhe në fazën ku kanë nevojë për para dhe janë prepotentë që të mashtrohen më lehtë. Por, viktima të kazinove dhe fajdexhinjve legal nuk janë vetëm të rinjtë, në këto vende janë të ekspozuar edhe të rriturit e të moshuarit, dhe kjo është tregues që kemi të bëjmë me një “virus” të dukshëm të prekshëm e që në mënyre manipulative infekton qytetarët.

Kujtojmë që, puna e shoqërive private financiare të njohura në opinion si “shitore për para”, të cilat ofrojnë kredi të shpejta, është e rregulluar me Ligjin për marrëdhënie të obligacioneve. Ky ligj pësoi ndryshime në tetor të vitit 2021 me çka përmbaruesit nuk do të mund të përllogaritin kamatë më të lartë se borxhi kryesor në kamatat e dakorduara ndëshkuese.
Por, qytetarët thonë se dhe këtu ka mashtrime, pasi në momentin që ata s’mund t’i shlyejnë kamatat e borxhit që kanë marrë, u propozohet që të nënshkruajnë kontrata të reja në bazë të revidimit të kredive, me një vlerë dyfish më të lartë nga hera e parë.

“Nisa me 7.000 denarë, (120 euro) për kohë të shkurtër, pas vonesës së kësteve, ata u paraqitën për rifinancim të kredisë. Ata të shantazhojnë me përmbarues nëse nuk dëshiron të rifinancosh kredinë, dhe për herë të dytë më është rritur kredia nga 7.000 në 17.000 denarë, (280 euro) . Me rifinancimin e tretë të kredisë arrita në 33.000 denarë (520 euro) dhe tani jam në borxh mbi 70.000 denarë (1 mijë e 200 euro)”, ka rrëfyer përvojën e saj të hidhur një qytetare.

Megjithëse në bazë të Ligjit për shoqëri financiare licencën për themelimin e shoqërive financiare e jep Ministria e Financave. Institucionet ku bën pjesë edhe Ministria e Financave, që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e punës së shoqërive private financiare, thonë se këto institucione punojnë në bazë të Ligjit për marrëdhënie të obligacioneve dhe përderisa nuk e shkelin këtë ligj, ato vazhdojnë me veprimtarinë e tyre.

Ndërkaq, ligji për rregullimin e lojërave nëpër kazino dhe bastet sportive në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar debat të vazhdueshëm pro dhe kundër. Sektori civil por edhe parti politike propozojnë ndryshime në Ligjin për lojëra të fatit që është bllokuar në Parlament. Ky projektligj parashikon që biznese të tilla duhet të jenë të paktën 500 metra larg nga shkollat. Një propozim tjetër i partisë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, ka qenë që pikat e basteve dhe kazino të ketë vetëm nëpër hotele me 5 yje. Por, edhe përkundër këtyre propozimeve sërish nuk ka pasur ndonjë ndryshim eventual të lokacioneve të kazinove apo basteve.

Prandaj, nga kjo situatë e krijuar ku shumë qytetarë janë të manipuluar lirshëm mund të konstatojmë që fati i qytetarëve po varet nga lojrat e fatit, dhe shitoret e parave që në emër të ndihmës fundosin nevojtarët. /Zhurnal.mk

Related posts

Visar Ganiu uron Fitër Bajramin: Ta ruajmë zemrën e shpirtin e pastër në çdo çast

Gazetamax.mk

MASH e përshëndet vendimin e SASHK-ut për ta vendosur grevën në pezullim

Gazetamax.mk

Ngushtohet gara për kryetar dege tek BDI-Tetovë, largohet Bajram Rexhepi

Gazetamax.mk